Bashkia Durrës në kuadër të Programit social për strehimin shpall thirrjen për konkurs për të gjitha Bankat e Nivelit të dytë të paraqesin propozimet e tyre për ofrimin e kredive me kushte lehtësuese për blerjen e apartamenteve të banimit me qëllim strehimin e familjeve dhe individëve të cilët nuk janë në gjendje ekonomike dhe sociale të përballojnë tregun e lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore.

Masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga ky program, do të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë sipas marrëveshjes së nënshkruar me bankën me interesin prej 3% (i pandryshuar gjatë gjithë periudhës së shlyerjes së kredisë) që paguan familja mbi principalin e kredisë.

Financimi i programit është në shumën 10.000.000 (dhjetë milion) lekë i vënë në dispozicion Bashkia Durrës me anë të VKB nr. 469 datë 23.12.2017 “Për miratimin e buxhetit të Bashkisë Durrës për vitin 2018 si dhe projektbuxhetin afatmesëm të Bashkisë Durrës për vitet 2018-2020” i ndryshuar.

Fondi i vënë në dispozicion është funksion i:

Numrit të përfituesve në total për çdo tipologji banese.

Normës së interesit të kredisë.

Periudhës së shlyerjes së kredisë.

Bazuar  në germën b të pikes 1.1 të Nenit 9, ne pikën 1 të Nenit 24 si dhe në gërmën k të Nenit 54 të Ligjit nr. 139/2015 “Për vetqeverisjen vendore”, në Nenin 47, 67 dhe neni 73 i Ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social” VKB nr. 469 datë 23.12.2017 “Për miratimin e buxhetit të Bashkisë Durrës për vitin 2018 si dhe projectbuxhetin afat mesëm të Bashkisë Durrës për vitet 2018-2020” i ndryshuar grupi i punës vendosi te përcaktojë kriteret mbi bazën e të cilave do të bëhet kualifikimi i bankave të nivelit të dytë si dhe kriteret e përcaktimit të ofertës fituese.

Kriteret kualifikuese që duhet të plotësojë secila nga Bankat për tu perzgjedhur fituese përcaktohen si më poshtë:

1. Raporti i borxhit ndaj të ardhurave në përqindje

Banka që do të përzgjidhet fituese të ketë indikator duhet ta ketë minimumi 50%. Ky indikator matet si raport i totalit të kësteve mujore që do të paguajë individi mbi të ardhurat e tij. Raporti i borxhit ndaj të ardhurave neto në përqindje duke konsideruar si shpenzim jetik eshtë e barabartë me 50%.

2. Numri i rrjetit të degëve në territorin e Durrësit.

Banka që të përzgjidhet fituese duhet të ketë minimumi 4 degë në territorin e Durrësit..Numri i rrjetit të degëve në territorin e qytetit të Durrësit krijon mundësi për ti shërbyer kategorisë së individëve të kualifikuar si përfitues për kreditë e buta sipas kritereve të përcaktuara nga Bashkia Durrës si dhe mundëson shërbimin ndaj të përzgjedhurve sa më pranë njësisë së tyre administrative (vërtetuar me dokumentacionin përkatës)

3. Numri i klienteve të bankës

Banka që do përzgjidhet fituese duhet të ketë minimalisht 150.000 (njëqindepesëdhjetë mijë) klientë. Duke patur parasysh faktin që bankat punojnë në kredidhënie kryesisht me klientë të cilët kanë historik marrëdhënie me bankën, dhe marrin dhe preçedence, sygjerohet që të jete një numër sa më i madh klientësh në mënyrë që të ketë një bazë të gjërë përfshirje të përfituesve të mundshëm të këtij programi, dhe mos hasin në vështirësi për miratimin e kredisë nga ana e bankës. Është në interesin dhe të Bashkisë Durrës që banka te ketë nje bazë të madhe klientele dhe mund të operojë dhe bashkëveproje si me klientët ashtu dhe me Bashkinë Durrës. (vërtetuar me dokumentacionin përkatës)

4. Numri i pagamarrësve të bankës.

Banka që të përzgjidhet fituese duhet të ketë minimumi 50.000 pagamarrës. Kreditimi i pagës si një e ardhur fikse mujore lehtëson dhe shmang vonesat për shlyerjen e kredive për ato individë që do të jenë pjesë e skemës dhe paga e tyre kanalizohet nëpërmjet bankës. (vërtetuar me dokumentacionin përkatës)

5. Kryerja e veprimeve bankare on-line

Banka që do të perzgjidhet si fituese duhet të ketë domosdoshmërisht kryerjen e veprimeve bankare on-line pasi me anë të platformës on-line klientët mund të kryejnë pagesa, paguajnë këstet e kredive dhe kanë akses në llogaritë e tyre në çdo moment.

6. Akses dhe informacion i bankës në tregun real estate

Banka duhet të ketë akses dhe informacion për tregun e real estate pra të ketë mundësinë e ofrimit të informacioneve shtesë nga ana e bankës së përzgjedhur lidhur me tregun e pasurive të paluajtëshme për ti ardhur në ndihmë klientëve që janë në kërkim të një banese.

7. Ofrimi i shërbimeve jashtë orarit zyrtar

Ofrimi i sherbimeve bankare në një afat kohor më të gjerë, mundesi për kryerjen e veprimeve të të ndryshme jashtë orarit zyrtar të bankave. (i.e. Orari i zgjatur, ose veprime gjatë në fundjavës).

Kriteret sa më sipër cituar do të plotësohen me ane të deklaratave të firmosura nga përfaqësuesit ligjor të bankës ose personit/personave të autorizuar. Mosplotësimi i njërit prej kritereve të lartpërmendura përbën kusht për skualifikim.

8. Bashkia Durrës rezervon të drejtën të verifikojë dhe kontrollojë në çdo kohë vërtetësinë e deklaratave të lëshuara nga bankat pikat 1-8 (Deklaratë nga Përfaqësuesi ligjor apo personi i autorizuar)

Dokumentacionin kualifikues që kërkohet për këtë proçedurë për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë është si më poshtë:

1. Ekstrakt QKB, i tre muajve të fundit.

2. Vërtetim nga dega rajonale e Tatimeve për shlyerjen e detyrimeve tatimore për vitin 2018.

3. Vërtetim nga Bashkia Durrës që subjekti ka shlyer gjithë detyrimet ndaj saj për vitin 2018. 

Ky dokumentacion kërkohet për të gjithë degët e secilës bankë të nivelit të dytë të ndodhur në territorin e Bashkisë Durrës.

Kandidati që nuk plotëson dokumentacionin kualifikues si dhe një nga kriteret e përcaktuara nga pika 1 deri në pikën 8, s’kualifikohet.

Kriteret e përcaktimit të ofertës fituese pas kualifikimit të bankave:

1. Interesi që do të ofrohet nga bankat e nivelit të dytë për kreditë e buta.

2. Afati më i gjatë i ripagimit të kredisë përkthehet në këste me te ulëta mujore, duke rritur mundësinë e kredimarrësve për përballimin e shlyerjes së kredisë.

Këto kritere do të vlerësohen si më poshtë:

Nr. Kriteri Piket
1 Interesi në përqindje i kredisë ne lek. 70
2 Afati i ripagimit të kredisë 30


Subjektet renditen sipas pikëve të fituara, renditje e cila pasqyrohet  në proces verbalin e shqytimit i cili përmban të gjithë subjektet sipas radhës:

- subjekti në vend të parë,

- subjekti në vend të dytë, e kështu me radhë, sipas pikëve,

- subjektet që nuk plotësojnë kriteret apo paraqesin dokumentacion të parregullt

Procesverbali i mbajtur nga Komisioni vlerësues i paraqitet Kryetarit të Bashkisë për miratimin e vendimit të marrë dhe përcjelljen e tij Drejtorisë Ligjorë për vazhdimin e procedurave të nevojshme për lidhjen e kontratës me bankën fituese.

Shënim 

Në rast se subjektet kanë pretendime, atëherë atij i lind e drejta e ankesës me shkrim sipas legjislacionit në fuqi.

Autoriteti kompetent shqyrton ankimimin e subjektit dhe del me një vendim brenda 7 ditëve nga data e depozitimit të ankimimit. Vendimi i organit më te lartë administrativ është përfundimtar dhe i formës së prerë.

Afati për dorëzimin e ofertave pranë protokollit të Bashkisë Durrës është  deri më datë 04.01.2019.

Komisioni i vlerësimit ka afat pesë ditë për vlerësimin e propozimeve të bankave të nivelit të dytë, të cilat do ti përcillen nga zyra e protokollit.

GRUPI I PUNËS