Me qëllim integrimin paqësor të emigrantëve në territorin pritës duke promovuar kështu kulturën e mikpritjes dhe jo të diskriminimit apo racizmit, Bashkia Durrës në partneritet me Bashkinë Katerini - Greqi, Bashkinë Wattrelos - Francë, Bashkitë Gornja Rijeka dhe Breznicki Hum - Kroaci, me katër shoqata si dhe Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, është në fazën e zbatimit të Projektit “REACT”, të financuar nga Programi Komunitar i Bashkimit Evropian “Evropa për qytetarët 2014-2020” (Europe for citizens 2014-2020). Ashtu sikurse shumë partnerë të tjerë, Bashkia Durrës është përfshirë dhe është aktive dhe në projekte të tjera të BE-së lidhur me menaxhimin e pritjes së parë dhe integrimit të imigrantëve në vendin pritës (Projekti IN.TO.EU).  

Projekti REACT i cili do të zbatohet në nivel lokal dhe europian, për periudhën Janar 2017 – Dhjetor 2018, synon të krijojë një network ndëmjet qyteteve nga vende të ndryshme të BE-së me qëllim zhvillimin dhe përhapjen e qasjeve të ndryshme mbi integrimin e emigrantëve si dhe luftimin e çdo forme stigmatizimi apo diskriminimi duke mbështetur “Agjendën e re Evropiane mbi Migrimin” (2015). Tema e këtij projekti është relevante veçanërisht për të rinjtë që do të përfshihen (si ato që kanë lindur në BE dhe ato që kanë lindur jashtë BE-së) kryesisht studentët, por gjithashtu edhe grupe të tjera si punëtorët, anëtarë të shoqatave dhe grupeve të ndryshme lokale. Të rinjtë do të përfshihen nëpërmjet rrjetit (network-ut) ekzistues në nivel lokal/kombëtar (bashkitë, shkollat dhe agjenci të tjera edukuese, shoqatat apo OJF-të), qasjeve të ndryshme të tilla si takimet parapërgatitore, newsletter-at, websitet e çdo vendi partner, masmedia etj.                                                                     

Ky projekt ka një rëndësi të veçantë, pasi do të shkëmbehen eksperiencat më të mira nga vendet perëndimore si Suedia, Franca, Italia, Belgjika lidhur me menaxhimin e çështjeve të emigracionit, kryesisht luftimin e çdo forme të stigmatizimit dhe diskriminimit kundrejt emigrantëve, promovimin e kulturës së respektimit të të drejtave të njeriut, mikpritjen dhe dialogun ndërkulturor në nivel lokal, duke krijuar kështu forma të bashkëpunimit afatgjatë dhe forcimin e ndërveprimit midis qyteteve dhe institucioneve të BE-së.

Për më tepër gjatë zbatimit të këtij projekti, partnerët do të hartojnë një manual mbi mënyrat e ndryshme për të luftuar të gjitha format e diskriminimit dhe racizmit. Dokumenti do të prezantohet dhe do të diskutohet me administratorët lokalë dhe politikëbërësit e qyteteve partnere dhe të BE-së gjatë eventeve ndërkombëtare të projektit, duke i nxitur pjesëmarrësit që të luajnë një rol të plotë në jetën demokratike të BE-së.

Më shumë informacion mbi këtë Projekt mund të gjendet në faqen e internetit (websitin): http://www.reactcitizen.eu/, ose në llogarinë në facebook: https://www.facebook.com/reactcitizen/