Në ditën e parë të fillimit të shkollës kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka qenë në shkollën e mesme të përgjithshme Gjergj Kastrioti për të përshëndetur nxënësit për fillimin e këtij viti të ri shkollor. Gjithashtu kryebashkiaku Dako ka zgjedhur këtë shkollë edhe për të vazhduar për të dytin vit nismën e Bashkisë që ka të bëjë me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytet dhe që konsiston në ndërgjegjësimin e nxënësve për ti ruajtur dhe shtuar këto sipërfaqe. Nisma e bashkisë është “Çdo shtator një shkollë një pemë” dhe sipas kryebashkiakut Dako kjo nismë do të pasohet nga të tjera në favor të shtimit të sipërfaqeve të gjelbra. Kjo është nisma e dytë për këtë qëllim pas asaj “një jetë një pemë”. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe zyrtarë të tjerë vendorë. Në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkiaku Dako pasi ka uruar nxënësit për një vit sa më të mbarë shkollor i shoqëruar nga drejtuesit e shkollës dhe nga vetë nxënësit ka mbjellë në oborrin e shkollës në mënyrë simbolike një pemë. Në 14 shtator në të gjitha shkollat që përfshihen në bashkinë e Durrësit është mbjellë nga një pemë në kuadër të kësaj nisme të Bashkisë që do të jetë çdo shtator dhe kjo pemë përveçse do të jetë një kujtim për të gjithë nxënësit që kanë filluar klasën e parë apo vitin e parë është edhe një lloj sensibilizimi për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytetin tonë. “Do të vazhdojmë me nisma të tjera në favor të shtimit të sipërfaqeve të gjelbra në qytet”-tha midis të tjerash kryebashkiaku Dako në mbyllje të fjalës së tij.