Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim presidentin e Çekisë Vaclav Klaus. Takim është zhvilluar në hotelin Adriatik në plazhin e Durrësit dhe në të merrnin pjesë përveç kryebashkiakut Dako dhe të tjerë zyrtarë të lartë të Bashkisë, si edhe kryetari i Qarkut dhe prefekti i Durrësit. Presidenti Klaus shfaqi një interesim maksimal për qytetin e Durrësit dhe atë çka ofron ky qytet përsa i përket veçanërisht sektorit të turizmit. Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako i ka bërë presidenti çek një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin e turizmit duke e njohur presidentin çek me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja. Presidenti Klaus nga ana e tij u shpreh tepër i kënaqur për pritjen që ju rezervua në Durrës. Ai u shpreh se bregdeti i mrekullueshëm i Durrësit duhet të jetë një objektiv për tu vizituar nga turistët çekë dhe për këtë po punohet që vëmendja e turistëve çekë të përqëndrohet në bregdetin shqiptar e vecanërisht atë të durrësit. Po kështu presidenti çek Klaus u shpreh se po punohet për vendosjen e fluturimeve direkte me avion nga Çekia në Tiranë dhe anasjelltas me qëllim nxitjen e ardhjes së turistëve çekë në vendin tonë. Klaus u shpreh gjithashtu se Durrësi me të vërtetë është një qytet i cili mund të kthehet në një qytet shumë të rëndësishëm turistik në të gjithë rajonin. Klaus deklaroi se edhe investitorët çekë kanë shprehur interesimin e tyre për të investuar në Durrës në sektorin e turizmit por sipas tij resurset turistike të Durrësit duhet të vazhdojnë të njihen në një shkallë më të gjerë në vendet e huaja. Pas takimit në mjediset e jashtme të hotel Adriatik, i cili kaloi në një frymë shumë miqësore, kryebashkiaku Dako dhe presidenti Klaus shkëmbyen dhuratat e rastit ku kreu i bashkisë së Durësit Vangjush Dako i dhuroi presidentit çek ndërmjet të tjerash një punim artistik artizanal të veçantë ku ishin të gdhendura monumentet kryesore arkeologjike të qytetit të Durrësit ndërsa presidenti Klaus i dhuroi kryebashkiakut Dako librin e tij të përkthyer edhe në shqip me titull “Planeti blu në vargonj të gjelbër- Cila rrezikohet: Klima apo liria?”. Ky libër është shkruar nga presidenti Klaus në vitin 2007 dhe është përkthyer e botuar në Shqipëri në vitin 2009.