Bashkia e Durrësit ka filluar një diskutim publik në lidhje me vendin më të përshtatshëm ku do të ndërtohet porti i ri i peshkimit. Leja e sheshit të ndërtimit miratuar në vitin 2004 ka skaduar prej kohësh dhe tashmë ministria e mjedisit kërkon një leje të re për sheshin e ndërtimit të këtij porti të peshkimit. Por vendi i parashikuar nga ministria për ndërtimin e këtij porti sipas Bashkisë së Durrësit është i papërshtatëshm për një mori arsyesh ndaj kryebashkiaku Vangjush Dako me administratën e bashkisë kanë ndërmarrë një diskutim të gjerë publik për të vjelë opinionin e qytetarisë durrsake, të specialistëve dhe të grupeve të interesit se cili është vendi më i përshtatshëm për të ndërtuar këtë port peshkimi. Në diskutimin e parë publik organizuar nga Bashkia dhe shoqata “Durrësi”merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, intelektualë të qytetit, specialistë mjedisi, qytetarë etj. Në këtë diskutim përfaqësuesit e mjedisit bënë një ekspoze të projektit që parashikohet të ndërtohet me një kredi të bankës islamike prej 15 milion dollarë. Sipas projektit të ministrisë porti i ri i peshkimit duhet të ndërtohet në kalatën zero vetëm 500 metra larg shëtitores bregdetare të Durrësit. Pas kësaj ekspozeje e ka marrë fjalën kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili është shprehur se ky diskutim publik është i pari dhe do të pasohet nga shumë të tjerë pasi ky port është i rëndësishëm për qytetin sepse zhvillon industrinë e peshkimit por bashkia kërkon të marrë opinion sa më të gjerë lidhur me vendin ku duhet ndërtuar ky port pasi në vendin e parashikuar ai do të sjellë pasoja negative për qytetin dhe për këtë arsye Bashkia e Durrësit është kundër ndërtimit të tij në kalatën zero: “Porti i ri i peshkimit i jep një hov zhvillimit të industrisë së peshkimit që është shumë e rëndësishme për qytetin tonë por ajo që duhet të bëjmë ne është të vendosim drejt dhe pasi kemi thithur opinionin e të gjithë qytetarëve durrsakë dhe grupeve të interesit. Në vendin ku parashikohet të ndërtohet ne mendojmë se ky port do të sjellë impakte shumë negative në mjedis duke e ndotur ndjeshëm atë dhe duke e nxjerrë tërësisht jashtë funksionit shëtitoren bregdetare. Duhet të mendojmë që ti lëmë fëmijëve tanë një ambient sa më të pastër dhe jo të miratojmë me nxitim projekte që nesër do ti kushtojnë shtrenjtë qytetarëve të Durrësit por edhe turistëve. Ne si bashki jemi dakord që porti i ri i peshkimit të ndërtohet por në një vend tjetër që është shumë i përshtatshëm se ai ku parashikohet dhe ku nuk do të ketë impakte negative.” Bashkia e Durrësit e mendon si vendin më të përshtatshëm zonën e Porto Romanos për ngritjen e këtij porti megjithatë ky vendim do të merret vetëm pasi të mbyllen të gjitha fazat e diskutimit publik që ka ndërmarrë kjo bashki në lidhje me këtë çështje. Po kështu Bashkia e Durrësit do të vendosë edhe pasi të përfundojë projekti LAMP që merret me studimin e menaxhimit të tokës në Bashkinë e Durrësit. Ky studim përcakton qartë edhe vendodhjen më të përshtatshme për projekte të tilla. Në këtë diskutim publik e kanë marrë fjalën shumë qytetarë dhe specialistë që kanë sjellë argumenta të fortë dhe konkrete në lidhje me ndotjen mjedisore që shkakton porti i peshkimit nëse do të ndërtohej në kalatën zero ndaj pothuajse në unanimitet bashkia e përfaqësuar nga kryebashkiaku Dako dhe të gjithë pjesëmarrësit në takim kanë qenë kundër ndërtimit të këtij porti në kalatën zero duke kërkuar që të studiohet dhe të hartohet një projekt i ri për një vend tjetër më të përshtatshëm. Kryebashkiaku Dako ka deklaruar se ky diskutim publik në shkallë të gjerë do të vazhdojë më tej me biznesin, peshkatarët, grupet e interesit dhe qytetarët durrsakë me qëllim që Bashkia e Durrësit të jetë sa më pranë interesit qytetar në vendimmarrjen e saj jo vetëm për këtë çështje por për të gjitha çështjet që prekin interesat qytetare.