DURRËS- Bashkia e Durrësit ka organizuar në sallën e pallatit të kulturës ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, deputetë të Durrësit, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri, përfaqësues të organeve të tjera të pushtetit vendor, përfaqësues të forcave politike, të komuniteteve fetare etj. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e organizatave antifashiste të vendeve të Adriatikut dhe Jonit të cilët sollën në këtë ceremoni përshëndetjet e tyre. Ceremonia është çelur me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe më pas e ka marrë fjalën kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili deklaroi se do të kujtojmë gjithmonë me respekt të gjithë ata që e deshën qytetin aq shumë sa derdhën gjak e dhanë jetën për të. Midis të tjerash kryebashkiaku Dako u shpreh:“Jemi sot këtu në përkujtim të ditës historike të çlirimit të qytetit tonë, ditë për të cilën kanë sakrifikuar e kanë dhënë jetën dhjetëra patriotë dhe luftëtarë të lirisë. Durrësi është në qendër të historisë shqiptare të luftës së dytë botërore sepse ishte pikërisht qyteti bregdetar ku filloi historia e luftës nacionalçlirimtare në 7 prill 1939. Përmasat e luftës për liri ishin në shkallën më të lartë në çdo shtëpi durrsake. Durrësi ishte një qytet i rëndsishëm i lëvizjes antifashiste. Me kalimin e viteve dhe ndryshimin e regjimit nga ai fashist në atë nazist, qyteti ynë nuk e ndali luftën për çlirim, përkundrazi e shtoi edhe më shumë atë, me zgjerimin e bazave të luftës në qytet dhe me shtimin e luftëtarëve të lirisë. Në këtë atmosferë e gjeti Durrësin pushtimi nazist në shtator 1943. Sot pas 65 vjetësh në përkujtim të kësaj dite historike të 14 nëntorit me krenari të ligjshme shprehim respektin dhe mirënjohjen për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit. Kjo ditë çlirimi ishte zanafilla e realizimit të shumë ëndrrave që finalizohen sot teksa Durrësi ka marrë pamjen e një qyteti evropian dhe vazhdon të ecë në rrugën e mëtejshme të zhvillimit. Ne do të ecim shpejt përpara por natyrisht do të kujtojmë gjithmonë me respekt të gjithë ata që e deshën qytetin aq shumë sa derdhën gjak e dhanë jetën për të. Me sakrificat e djeshme dhe punën e sotme ne ecim të sigurt në rrugën e progresit duke u përpjekur të bëjmë më të mirën për qytetin tonë dhe të ardhmen e tij evropiane. I përjetshëm qoftë kujtimi i të rënëve dhe kjo ditë e shënuar e çlirimit të qytetit tonë.”Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës të cilën sollën kujtimet e tyre nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare dhe nga dita e çlirimit të Durrësit. Në këtë ceremoni përshëndetje të vecanta erdhën nga veteranët e luftës të vendeve të rajonit tonë që sollën kujtime nga vitet e luftës.