bashkiaBashkia e Durrësit në vazhdën e projekteve të saj në shërbim të qytetit dhe banorëve të Durrësit ka vazhduar që të stimulojë edhe nxënësit më të mirë të qytetit sepse në këtë mënyrë kjo bashki investon për të ardhmen e qytetit. Në zbatim të projektit “Investojmë sot për një të ardhme të sigurtë nesër” është kryer nga Bashkia e Durrësit shpërblimi i nxënësve me rezultate të shkëlqyera në mësime dhe aktivitete të ndryshme me një fond prej 1.5 milion lekesh të rinj gjë që është kthyer tashmë në traditë të përvitshme nga ana e kësaj bashkie. Megjithëse është viti i gjashtë ky nuk do të jetë i vetmi projekt pasi Bashkia e Durresit do të vazhdojë me projekte të tilla edhe në të ardhmen, pasi ato i shërbejnë të gjithë qytetit dhe qytetarëve të Durrësit. Në ceremoninë e zhvilluar në sallën e këshillit bashkiak merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, drejtues të DAR etj. Në këtë ceremoni janë shpërblyer 54 nxënës, 21 nxënës nga shkollat 9 vjecare, 21 maturantë, 11 nxënës që kanë fituar olimpiada kombëtare e ndërkombëtare dhe një nxënëse pjesëmarrëse në lojërat botërore olimpike speciale. Nxënësit janë shpërblyer me një shumë që varion në bazë të rezultateve nga 15 mijë lekë të rinj nxënësit e shkollave 9 vjecare, 25 mijë deri në 40 mijë lekë fituesit e olimpiadave dhe 35 mijë deri në 45 mijë lekë maturantët. Përveç shpërblimit material në ceremoninë qe është zhvilluar ne sallen e Keshillit Bashkiak ju dha atyre edhe një çertifikatë”E ardhmja e Qytetit” nga ana e Kryetarit të Bashkisë Vangjush Dako. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit do të jetë gjithmonë pranë nxënësve dhe do ti stimulojë ata në përvetësimin sa më të mirë të dijeve dhe vënien e tyre në zbatim të së ardhmes evropiane të qytetit tonë: " Sot po iu shprehim mirënjohje të gjithë nxënësve që me punë kanë dëshmuar se në qytetin tonë mësohet e punohet, se këtu ka vlera dhe suksese, të cilat nuk janë të rastësishme, por janë rezultat i punës dhe angazhimit të nxënësve, të mësimdhënësve, të prindërve dhe i përkrahjes që ne ju kemi dhënë e do të vazhdojmë tju japim si një stimul që tju nxisë më shumë në punën tuaj. Ju jeni ndër qytetarët më të mirë të Durrësit, ju jeni krenaria jo vetëm e prindërve tuaj, jo vetëm e shkollës tuaj por edhe e gjithë qytetit. Bashkia e Durrësit, i gjithë komuniteti ynë mund dhe duhet të bëjë akoma më shumë për ju dhe jemi këtu sot për të folur për atë që mund të bëjmë, në vijim të vlerësimit tuaj, por edhe për ta kthyer shembullin e secilit prej jush, në një shembull që nuk mbetet thjesht brenda mureve të klasës, por të kthehet në një shembull për të gjithë brezin tuaj, në një shembull për të gjithë komunitetin. Ne e kemi prioritet krijimin e kushteve sa më të mira për shkollimin tuaj. Bashkia e Durrësit do të vazhdojë me projekte të tilla edhe në të ardhmen, pasi këto projekte i shërbejnë të gjithë qytetit dhe qytetarëve të Durrësit. Investimi më i mirë që bëni ju për veten por edhe për vendin tuaj është pikërisht mësimi.” Nje falenderim i vecantë është bërë nga kryetari i Bashkisë edhe për mësuesit që po përgatisin një brez të tillë që po nderon qytetin e Durrësit sot , por po garantojnë dhe të ardhmen e tij. Shpërblimi që jep Bashkia në kuadër të këtij projekti nuk është thjesht shpërblimi i nxënësve me të gjitha notat 10, por është një koncept më i gjerë, se sa japin këto nxenes jo vetëm në sferën mësimore por dhe në aktivitete mësimore, kulturore e sportive dhe që kanë përfaqësuar Durrësin me dinjitet.