Punonjësit e administratës së bashkisë së Durrësit dhe ndërmarrjeve që varen nga bashkia kanë protestuar për tre ditë me rrasdhë në lidhje me vendimet e qeverisë që synojnë pakësimin e të ardhurave të buxhetit për vitin 2010. Menjëherë pas mbarimit të orarit zyrtar të punës, në orën 16.00 para bashkisë së Durrësit qindra punonjës janë mbledhur përpara godinës në ditën e tretë rradhazi në shenjë proteste ndaj vendimeve që cënojnë autonominë e qeverisjes vendore. Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako është shprehur para mediave se ne protestojmë me synimin për ndryshimin e vendimeve të qeverisë që cënojnë buxhetin e vitit 2010 dhe rrjedhimisht edhe investimeve e shumë shërbime ndaj qytetarëve. Konkretisht bëhet fjalë për 1,7 miliard lekë të vjetra që i pakësohen të ardhurave të bashkisë nga këto vendime, ndërkohë që buxheti i Bashkisë për vitin 2009 ka qenë rreth 14 miliard lekë të vjetra. Më saktë të ardhurat e bashkisë së Durrësit janë rreth 25 përqind më të ulëta dhe në këtë mënyrë shërbimet dhe investimet në qytetin tonë do të bien ndjeshëm. Bashkia përfiton nga taksa e KRRT një shumë prej 2.3 miliard lekë të vjetra në vit por edhe kjo rrezikohet për shkak të bllokimit të punës që po bëhet edhe në KRRT. Buxheti i ardhshëm, u shpreh kryebashkiaku Dako, do të ketë në total 4.1 miliard lekë më pak se viti i kaluar. “Ne po protestojmë në këtë mënyrë për tre ditë resht, më pas me kryetarët e tjerë të komunave dhe bashkive në vend, do të vendoset për hapat e mëtejshëm”, u shpreh kryetari i bashkisë Vangjush Dako.