Dua të informoj të gjithë opinionin publik se Bashkia e Durrësit jo vetëm që ka marrë vendim për prishje të këtyre kateve pa leje shumë kohë më parë por ka depozituar edhe një kallëzim penal ndaj subjektit që ndërton këtë pallat dhe ministri Olldashi vazhdon një fushatë shpifjesh dhe fyerjesh ndaj personit tim kështu ka deklaruar kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili theksoi se është hera e dytë që Olldashi lëshon shpifje dhe akuza të pavërteta ndaj Bashkisë së Durrësit dhe kryebashkiakut Dako. Në këtë mënyrë kreu i Bashkisë së Durrësit i përgjigjet akuzave krejtësisht të pabaza dhe shpifjeve që ka lëshuar Olldashi i cili deklaroi se ka depozituar kallëzim penal për krybashkiakun Dako i cili sipas Olldashit nuk ka marrë masa për prishjen e disa kateve pa leje në një pallat në lagjen nr.3 të Durrësit. Kryebashkiaku Dako ka sqaruar të gjithë opinionin publik se ky ministër ka shpifur në mënyrën më të ulët pasi Bashkia e Durrësit jo vetëm që ka marrë vendim për prishje të këtyre kateve pa leje shumë kohë më parë por ka depozituar edhe një kallëzim penal ndaj subjektit që ndërton këtë pallat që në muajin shtator të këtij viti, po kështu ka kërkuar nga këshilli bashkiak edhe miratimin e fondit për prishjen e këtyre kateve pa leje, projekt vendim që pritet të miratohet në mbledhjen e rradhës pasi këshilltarët e djathtë u tërhoqën nga ky miratim në mbledhjen e fundit. Midis të tjerash kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi: “Ministri Olldashi ka lëshuar shpifjen e rradhës ndaj Bashkisë së Durrësit dhe ndaj meje personalisht në lidhje me disa kate pa leje të një pallati që ndërtohet nga firma “Enrezo” sh.p.k me administrator Enver Shala. Sipas ministrit Bashkia nuk ka marrë masa për prishjen e objektit. Unë dua të informoj opinionin publik se fjalët e ministrit Olldashi janë thjesht shpifje dhe fyerje ndaj meje pasi Bashkia e Durrësit e ka marrë vendimin për prishjen e këtyre kateve pa leje në shtator të këtij viti e pikërisht në datë 15 shtator 2009 me vendim nr.95. Më pas me shkresë nr.260 të muajit shtator i ka kërkuar ndihmë inspektoriatit ndërtimor kombëtar për prishjen e këtyre kateve pasi ato janë në lartësi dhe duhen mjete specifike për ti prishur. Është pikërisht ky inspektoriat kombëtar që nuk na dha ndihmë dhe atëherë ne ju drejtuam këshillit bashkiak për të miratuar një fond të posacëm për prishjen e këtyre kateve pa leje. Ishin këshilltarët e partisë së olldashit ata që u tërhoqën mbledhjen e fundit dhe kërkuan një projekt vendim të cilin ne e përgatitëm dhe është në rendin e ditës për tu miratuar në mbledhjen e rradhës në këshillin bashkiak. Në këtë projekt vendim ne kërkojmë një fond të posacëm për të kryer këto prishje në lartësi që unë kam qenë dhe jam i vendosur që prishja e këtyre kateve do të bëhet. Po kështu dua tju bëj me dije se që në datë 17 shtator të këtij viti Bashkia e Durrësit ka bërë një kallëzim penal në prokurori në ngarkim të z.Enver Shala administrator i shoqërisë “Enrezo” që ka ndërtuar këtë pallat dhe në 10 nëntor na ka ardhur përgjigja nga prokuroria që ky procedim penal me nr.1384 është regjistruar në prokurori. Inspektoriati i ndërtimit të Bashkisë së Durrësit i ka pezulluar punimet në këtë pallat dhe e ka gjobitur subjektin në atë masë që parashikon ligji e po kështu ka kryer kallëzimin penal, pra i ka ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë. Ne si Bashki jemi totalisht transparentë në veprimet tona që janë bërë në përputhje të plotë me ligjet dhe rregullat. Në mbledhjen e rradhës ne presim të miratohet edhe fondi përkatës për të kryer këtë prishje ndaj deklaroj se ministri Olldashi ka shpifur. Po kështu i them këtij ministri që të mos shpifë për Bashkinë e Durrësit që vepron në përputhje me ligjet dhe rregullat por të shikojë pallatin 22 katësh që po ndërton i njëjti person në zonën e shkëmbit të kavajës ku janë 12 kate pa leje. Ky ministër dhe të gjithë ministrat e tjerë të Berishës në vend që të plotësojnë kërkesat e drejta të pushtetit vendor për cënimin e autonomisë dhe uljen e të ardhurave ndaj vendorëve në kundërshtim me ligjet e këtij shteti vazhdojnë të tensionojnë situatën me shpifje të tilla të ulëta.”