Bashkia e Durësit jep gjithashtu një fond prej 3 milionë lekë të reja

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako është takuar me banorët e ardhur në Durrës nga zonat e përmbytura dhe u ka shpërndarë atyre ndihma në ushqime, veshmbathje dhe medikamente mjekësore. Janë 6 familje që kanë ardhur nga disa zona të përmbytura që janë strehuar në njërin nga hotelet e plazhit të Durrësit. Pikërisht në këtë hotel ka shkuar edhe kryebashkiaku Dako i cili pasi u ka shpërndarë banorëve ndihmat u ka shprehur atyre edhe mbështetjen maksimale të bashkisë së Durrësit si dhe u ka premtuar se do të jetë pranë tyre në këto ditë të vështira: “Bashkia jonë është solidarizuar plotësisht me familjet e zonave të përmbytura. Të gjithë punonjësit e Bashkisë sonë kanë kontribuar dhe paratë do ti shkojnë në ndihmë të zonave të përmbytura e po kështu është edhe një fond që do ti japë Bashkia nga fondet e veta në ndihmë të tyre. E gjithë kjo ndihmë e Bashkisë është rreth 3 milionë lekë të rinj që do të shkojnë në ndihmë të familjeve të zonave të përmbytura. Po kështu përveç kësaj ndihme në ushqime e veshmbathje ne do ti qëndrojmë pranë të gjitha familjeve që vijnë në Durrës nga zonat e përmbytura. Ne jemi pranë tyre këto ditë të vështira.” Gjithashtu kryebashkiaku Dako ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar fëmijët që të vazhdojnë mësimet në shkollat e Durrësit për sa kohë që do të jenë në Durrës që të mos krijojnë boshllëqe në mësimarrje. Po kështu kryebashkiaku Dako ka dhënë porosi administratës së tij që në ditët në vazhdim të plotësojnë çdo nevojë të këtyre familjeve në veshmbathje, ushqime dhe medikamente.