Bashkia e Durrësit është kundër ndërtimit të portit të peshkimit pranë shëtitores bregdetare dhe do të vazhdojmë të mbajmë këtë qëndrim për arsye se mbrojmë interesat e qytetit dhe qytetarëve të Durrësit kështu është shprehur në një konferencë për shtyp kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili ka shpjeguar edhe një herë arsyet pse Bashkia e Durrësit është kundër këtij porti në vendin e parashikuar. Sipas Dakos janë tre arsye që ai është kundër dhe që kanë të bëjnë me mjedisin, trafikun dhe imazhin turistik. Dako shprehet se Bashkia e Durrësit e do zhvillimin dhe kjo është arsyeja që ka paraqitur tre alternativa për vendin ku duhet ndërtuar porti pasi në vendin ku aktualisht kërkohet për tu ndërtuar Bashkia ka projekt në perspektivë ndërtimin e një porti jahtesh që jep impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit:“Zgjedhja për të realizuar një infrastrukturë industriale përgjatë shëtitores urbane pranë detit në Durrës është sigurisht jo adekuate dhe për më tëpër në kontrast me imazhin turistik, që në vitet e fundit qyteti ka shprehur. Realizimi i një infrastrukture të tillë në të vërtetë do të gjeneronte, përvec një impakti negativ viziv për ata që përdorin shëtitoren, dhe një impakt akoma dhe më negativ mbi trafikun urban sepse mjetet për transportin e peshkut do të ishin të detyruara të përshkonin rrugët e qendrës së qytetit në një kohë kur qendrat e qyeteteve turistike duhen zbrazur nga trafiku për të favorizuar kushtet ambjentale për turistët dhe për vetë banorët e qytetit. Dua të precizoj që duhet njohur në mënyrë absolute vlerat ekonomike që sjell një port peshkimi por ndoshta gjetja e një vendi alternativ për realizimin e kësaj infrastrukture do të lejonte që me një shpenzim të njëjtë të përfitoheshin benefite të dyfishta si për zhvillimin ekonomik ashtu dhe për lënien të lira të zonave ku sot është parashikuar porti për një përdorim më kompatibël me qendrën urbane si për shembull realizimi i një porti turistik. Porti i peshkarexhave mund të realizohet, për shembull, në zonën veri-lindore të Portit tregtar, në një zonë më pak të cmueshme nga pikëpamja turistike dhe në afërsi të ngushtë me autostradën që lidhet me Tiranën. Një hipotezë tjetër mund të jetë që të krijohet një hapësirë në brendësi të Portit tregtar për t’ju dedikuar aktivitetit të peshkimit e po kështu një alternativë tjetër është edhe në zonën e Porto Romanos. Pra ne nukjemi që të digjet kredia por ajo të vazhdojë dhe të përdoret për ndërtimin e portit të peshkimit por ky port duhet ndërtuar në një zonë tjetër dhe jo në shëtitore pasi aty ku duan ta ndërtojnë ai krijon probleme të mëdha. Siç e thashë ndërtimi i portit në vendin ku e parashikon Ministria krijon një ndotje mjedisore të jashtëzakonshme, rëndon trafikun e qytetit madje e kthen atë në kaos të vërtetë sidomos gjatë sezonit veror dhe për më tepër ndikon negativisht në imazhin turistik të qytetit pasi vizitorët që vijnë gjatë sezonit impaktin e parë e kanë me një port peshkimi me ndotje të lartë ambienti. Jo vetëm ne si Bashki por edhe specialistët janë shprehur kundër ndërtimit të këtij porti në shëtitore dhe ky ka qenë konkluzioni i diskutimit publik me qytetarë e specialistë të zhvilluar për këtë problem. Po kështu një studio e huaj që ka fituar konkursin po harton planin rregullues të qytetit dhe në konsultimet që kemi bërë edhe këta specialistë të huaj janë kundër ndërtimit të një porti peshkimi në shëtitoren bregdetare.” Më tej kryetari i Bashkisë së Durrësit ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e bëra në adresë të tij se është kundër portit për arsye personale. Kryebashkiaku Dako është shprehur se ai është kundër nisur nga interesat e qytetit pasi në zonën që kërkojnë të ndotet me portin e peshkimit Bashkia kërkon të ndërtojë një port jahtesh që jep një imazh shumë më të bukur turistik. Kryebashkiaku Dako hodhi gjithashtu idenë e zhvillimit të një referendumi nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët me qeverinë në lidhje me këtë çështje: “Bashkia e Durrësit ka një projekt që përfshihet brenda studimit të qendrës së qytetit e miratuar edhe nga KRTRSH-ja që në perspektivë në zonën ku kërkohet të ndërtohet porti i peshkimit të ndërtohet një port turistik jahtesh që është totalisht në funksion të shëtitores bregdetare si dhe krijon një imazh tepër pozitiv turistik. Ky është projekti i Bashkisë së Durrësit ndërkohë që për portin e peshkimit ne do të vazhdojmë të jemi kundër ndërtimit në atë zonë për arsyet që përmenda më sipër. Pikërisht për të përcaktuar një zonë të përshtatshme për ndërtimin e këtij porti Bashkia ka nisur edhe një diskutim publik për të dalë me një mendim të përbashkët dhe nëse nuk gjejmë gjuhën e përbashkët me Ministrinë përkatëse edhe pas këtyre konsultave publike për këtë çështje atëherë ne si Bashki hedhim idenë e realizimit të një referendumi ku të jenë vetë qytetarët e Durrësit që do të vendosin për vendin se ku duhet ndërtuar ai port peshkimi.”