Bashkia e Durrësit ka prezantuar projektin që tashmë është në zbatim e sipër për informatizimin e shërbimeve të Bashkisë së Durrësit gjë që do të sjellë lehtësira të mëdha për qytetarët durrsakë. Ky projekt është i ndarë në tre faza dhe aktualisht ka përfunduar faza e parë dhe po punohet për fazën e dytë të tij. Vlera e këtij projekti është 75 milion lekë të rinj dhe kompania implementuese është INTECH + e cila ka si partner kompaninë gjigande ORACLE sfida e së cilës Smart Cities po aplikohet në Durrës duke e bërë qytetin e Durrësit pionier të “Oracle-Smart Cities” në Ballkan. Në këtë prezantim ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili ka nënvizuar në fjalën e tij se që këtë verë ne ndryshojmë në mënyrë rrënjësore përcjelljen e informacionit tek qytetarët, marrëdhëniet e qytetarëve me bashkinë e Durrësit: “Qyteti ynë është në shekuj porta kryesore e shqiptarëve drejt europës. Para tre vjetësh unë lëshova sfidën që Durrësi të jetë edhe porta e europianëve drejt hapësirës shqipfolëse. Në optikën dhe përgjegjësinë e kësaj sfide ne kemi filluar dhe zhvilluar disa projekte të rëndësishme me dimensione dhe pjesëmarrje evropiane. Para disa javësh patem nje takim teper interesant me europarlamentarë për hapjen në Durrës të zyrave të fondacionit MESEURO. Sfida europiane nuk ishte sfidë e lehtë. Pjesë e kësaj sfide eshte edhe dimensioni i ri që ne jemi angazhuar të japim në shërbimin ndaj qytetarëve tanë, qytetarëve që punojnë dhe zhvillojnë aktivitet në qytetin tonë, qytetarëve që kontribojnë në buxhetin e bashkisë. Në përballjen me këtë sfidë ne kemi parë eksperienca të ndryshme, jemi këshilluar me profesionistë të ndryshëm të huaj dhe vendas. Në këtë përballje ne qemë me fat që projektet tona gjetën rezonancë të plotë me ambiciet e kompanive lokale të tregut të teknollogjisë së informacionit, por sidomos me ambiciet e Oracle Corporation në sfidën e tyre “Smart Cities”. Sot, unë jam i lumtur që vizioni ynë në partneritet me gjigandë botërorë të teknollogjisë së informacionit bashkuar edhe me përkushtimin e punonjësve të Bashkisë e bën qytetin tim pionier të “Oracle - Smart Cities” në Ballkan. Me këtë program që ne po fillojmë të bëjmë realitet, që këtë verë ne ndryshojmë në mënyrë rrënjësore përcjelljen e informacionit tek qytetarët, marrëdhëniet e qytetarëve me bashkinë e Durrësit. Me këtë program ne kemi një fytyrë krejt të re në marrëdhënie me 47 mijë familjet që banojnë në Durrës, që kanë nevojë për shërbime e që paguajnë taksa. Me këtë program ne kemi një fytyrë krejt të re në marrëdhënie me rreth 4 mijë biznese të vogla që zhvillojnë aktivitet në Durrës, që kanë nevojë për shërbime e që 4 herë në vit kanë detyrimin për të paguar taksa. Me këtë program ne kemi një fytyrë krejt të re në marrëdhënie me rreth 6 mijë biznese që zhvillojnë aktivitet në Durrës, që kanë nevojë për shërbime. Pra janë më shumë se 100 mijë komunikime të reja që ne do të bëjmë me 205 mijë banorët e qytetarët. Me këtë program ne krijojmë mundësinë që qytetarët të marrin përgjigje shteruese për nevojat e tyre në qendrat e njësive administrative si dhe në një rrjet kioskash informuese që do të instalojmë në qytet. Me këtë program jemi të aftë t’i ofrojmë kujtdo përgjigje në të gjitha kanalet e komunikimit që përdorin qytetarët në jetën e tyre të përditshme. Brenda këtij viti qytetarët e Durrësit do ta kenë të zakonshme të marrin përgjigje edhe me email, edhe me SMS, edhe me internet, edhe me call center. Dua të shfrytëzoj këtë mundësi që t’u drejtohem autoriteteve qendrore që të zhvillojmë programe të përbashkëta, në funksion të përmirësimit të cilësisë në shërbim ndaj qytetarëve. Detyra jonë si institucione publike është që të ofrojmë informacion të bollshëm, të plotë, koherent, të saktë, të shpejtë dhe të arritshëm me të gjitha mjetet moderne të komunikimit që tregu ofron sot si dhe të ndjekim me vëmendje e të reagojmë me shpejtësi më mjete të reja të mundshme. Dua të ftoj edhe kolegët e mij kryetarë të bashkive të Shqipërisë që të bashkërendojmë burimet dhe forcat në projekti si i yni apo në të ngjajshëm. Jemi në kushtet e shtrëngesave financiare buxhetore dhe optimizimi i përpjekjeve do të rrisë efektivitetin e projekteve tona në shërbim të qytetarëve.” Ky projekt informatizimi është në fazën e dytë të tij ndërkohë që ka përfunduar faza e parë e cila përfshiu ndërtimin e sistemit të menaxhimit financiar, burimeve njerëzore dhe pagat, platformën e tipit ERP(planifikimi i resurseve të institucionit). Në këtë fazë të dytë po punohet për ndërtimin e një platforme të integruar të tipit CRM(administrimi i kontaktit të informatizuar me qytetarët dhe bizneset). Tashmë në Bashkinë e Durrës janë të informatizuara sektori i financave, departamenti i taksave, burimet njerëzore dhe pagat, protokoll-arkiva ndërkohë që po punohet në këtë fazë të dytë për informatizimin e marrëdhënieve me publikun dhe faza e tretë ka të bëjë me krijimin e një rrjeti të përbashkët me të gjitha institucionet e tjera.