Bashkia e Durrësit ka prezantuar në një tryezë të rrumbullakët planin për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge, një nga kategoritë më të rrezikuara të fëmijëve dhe të prekur nga vështirësitë. Në kuadër të punës së Bashkisë dhe përpjekjeve të të githë aktorëve është realizuar një Plan Veprimi i cili do të testohet në periudhën e verës dhe do të përfshijë angazhimin e një sërë aktorëve. Në këtë aktivitet merrte pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili u shpreh se Bashkia që ai drejton është mjaft e ndjeshme për problemet e shtresave të ndryshme në nevojë dhe në këtë kuadër Bashkia ka një sërë zyrash për mbrojtjen e këtyre kategorive si dhe qendra të ndryshme sociale. Kryebashkiaku Dako deklaroi se ky Plan Veprimi është një përpjekje për të kuptuar më mirë situatën e fëmijëve të rrugës si dhe synon tu vijë në ndihmë atyre në përkujdes shoqëror, mbrojtje sociale, mundësi për tu integruar në shkollë apo për tu pajisur më certifikatë lindjeje dhe për tu aktivizuar në kampe verore të organizuara nga Bashkia. Këta fëmijë veçanërisht fëmijë nga komunitetet romë apo Egjiptian ose të familjeve të varfra dhe me probleme sociale. Nga qendra ditore ofrohen disa shërbime ditore nga OJF-të, ku u ofrohet ndihmë materiale, asistencë shkollore dhe përgatitje për klasa të integruara si dhe kurse kundër analfabetizmit dhe formim profesional. Por këto shërbime nuk janë të mjaftueshme dhe kërkohet mbështetje më e madhe për familjen. Të gjithë aktorët kanë treguar angazhimin e tyre të plotë për tu ardhur në ndihmë fëmijëve dhe për të parë mundësinë e rishikimit të Planit edhe për vitet në vijim. Bazuar në një raport të kryer nga puna në terren të disa shoqatave Terre des hommes dhe ARSIS, më dhjetor 2009, janë identifikuar rreth 70 fëmijë në situatë rruge. Të lokalizuar më shumë tek hyrja e Portit dhe dalja e pasagjerëve. Ndërsa nga puna në terren në eëriudhën e verës është vënë re që fëmijët lypin ose shesin në rrugë, në zonat pranë Bashkisë, Sheshit Taulantia, Stacioni i Trenit, zona e portit, zona e plazhit, plepa etj. Gjatë periudhës së verës fëmijët vijnë dhe nga zona të tjera si Fieri, Elbasani, Tirana dhe Vlora. Fëmijët kanë raportuar se rrinë në zonën e Durrësit dhe jetojnë në Durrës pranë zonës së “Kënetës” dhe “Nish-Tulla”. Disa prej tyre jetojnë me të afërmit që janë banorë të përhershëm të këtyre zonave. Ky material shpalos një Plan Veprimi të ideuar si një plan me hapa konkrete për tu ardhur në ndihmë fëmijëve të gjendur në situatë rruge. Të gjithë institucionet, organizatat dhe profesionistët e angazhuar në këtë plan veprimi kanë detyrimin ligjor apo statuor të ndihmojnë fëmijët. Puna e përbashkët në këtë Plan Veprimi do të mundësojë që përpjekjet e tyre në këtë drejtim të bashkërendohen dhe të jenë më efektive për fëmijët.