Bashkia e Durrësit dhe komuna e Ulqinit kanë firmosur një Program konkret Bashkëpunimi me afat 1-vjeçar në fushat e kulturës, artit dhe sportit. Ky program është firmosur në komunën e Ulqinit gjatë vizitës së delegacionit të Bashkisë së Durrësit në atë qytet. Gjatë takimit në mjediset e bashkisë së Ulqinit grupet e drejtuara nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe kreu i komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga vlerësuan se komuniteti me prejardhje nga Ulqini që banon në Durrës përbën urën më të mirë të komunikimit për të ardhmen. Kryebashkiaku Vangjush Dako falenderoi për mikpritjen e komunës së Ulqinit, duke nënvizuar se Marrëvëshja e Bashkëpunimit që u arrit më 10 korrik në Durrës po jep frutet e para. Sipas Dakos “dy qytetet tona bregdetare kanë resurse të mëdha turistike dhe bashkëpunimi mes tyre veçanërisht në këtë fushë do të mundësojë shkëmbime të ndërsjellta shumëplanëshe”. “Shoqata “Ulqini” që po kontribuon në Durrës për evidentimin e figurave dhe traditave ulqinake do të jetë partneri i përbashkët në bashkëpunimin tonë-u shpreh kryebashkiaku i Durrësit. Kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga pas prezantimit të shkurtër të zhvillimeve të fundit në qytet, tha se pavarsisht nga kriza globale dhe konkurenca me qytete të tjera të Malit të Zi gjatë verës 2010 ka patur një shtim të numrit të pushuesve, ndërsa sezoni turistik është zgjatur edhe përtej muajit gusht. Lëvizja pa barriera e qytetarëve të dy vendeve tona duhet shfrytëzuar pozitivisht-u shpreh kryekomunari I Ulqinit. Deti Adriatik është ura që na lidh dhe presioni pozitiv mbi institucionet dhe kompanitë detare për të vendosur një linjë lundrimi mes dy qyteteve do të ishte një hap i mirë në marrëdhëniet tona-u shpreh kryetari i shoqatës “Ulqini” Zihni Beqiraj. Programi 1-vjeçar i Bashkëpunimit u nënshkrua nga drejtorët e Departamenteve të kulturës Ardian Gurra (Durrës) dhe Sadik Pelinku (Ulqin). Sipas këtij Programi brenda muajit dhjetor të këtij viti në Ulqin do të organizohen ekspozita të piktorëve durrsakë si dhe shfaqje të trupës teatrore dhe të orkestrës së harqeve “Aleksandër Moisiu”, ndërsa në Durrës do të hapet një ekspozitë e përbashkët etnografike dhe e arteve pamore të autorëve ulqinakë. Ndër aktivitetet e vitit 2011 në Durrës një rëndësi të veçantë do të ketë Sesioni shkencor me temë: “Ulqini dhe Historia e tij” që do të zhvillohet në muajin prill. Në Program janë parashikuar një sërë takimesh të artistëve dhe shkrimtarëve të të dy qyteteve si dhe veprimtari artistike, shkencore e sportive të përbashkëta. Festës tradicionale të Detit që kremtohet më 22 qershor në Durrës vitin e ardhshëm do ti bashkëngjitet edhe kontributi kulturor i qytetit të Ulqinit. Vizitat e ndërsjellta të nxënësve shkollarë janë një tjetër fushë e cila do të nxisë turizmin në të dy qytetet-u tha në Takimin ku morrën pjesë edhe ish-kryetari I bashkisë së Durrësit, Miri Hoti, drejtues të Departamenteve të Bashkisë si dhe një grup përfaqësuesish të shoqatës “Ulqini”. Vizita e kryebashkiakut të qytetit të Durrësit në Ulqin u ndoq me shumë interes nga mediat vendase.