Bashkia e Durrësit ka prezantuar Protokollin e Punës së Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve. Protokolli i Punës së Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve, një botim i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me UNICEF dhe Fondacionin Terre des hommes u prezantua për herë të parë në Tiranë më 29 Qershor 2010, në kuadër të projektit për ngritjen dhe shtrirjen e një rrjeti mbrojtës për të gjithë fëmijët në Shqipëri. Në këtë prezantim merrte pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili në fjalën e tij theksoi se kujdesi dhe mbrojtja e fëmijëve është nga prioritetet e Bashkisë që ai drejton: “Ky protokoll është një hap i rëndësishëm që hedh themelet për nëj kujdes të mirëorganizuar dhe të vazhdueshëm ndaj fëmijëve. Nëpërmjet këtij protokolli bëhet e mundur njohja dhe përcaktimi i të drejtave dhe detyrave që lindin për të mbrojtur fëmijët nga të gjitha fenomenet që cënojnë mirëqënien e tyre dhe të gjithë shoqërisë. Vlerësimi i nevojave të fëmijëve dhe përgjigja ndaj tyre dëshmon qartë për prioritetet që ka pushteti vendor si dhe rëndësinë që i kushtohet nga të gjithë aktorët lokalë krijimit të një rrjeti mbrojtës për individin, familjen dhe komunitetin. Gjithashtu ky takim është një vazhdimësi e takimeve të mëparshme mes aktorëve, partnerëve nga institucione publike dhe jopublike, që ofrojnë shërbimet në fushën e të drejtave të fëmijëve në kuadrin e shkëmbimit të informacionit dhe shqetësimeve lidhur me çështje të mbrojtjes së fëmijëve.” Protokolli i Punës së Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve nuk i shërben vetëm Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve, por gjithashtu vlen dhe si një mjet udhëzues për të gjithë ata persona që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në veçanti personelin e qeverisjes vendore, arsimit, shëndetësisë, policisë dhe punonjësve të OJF-ve. Aktualisht në Shqipëri janë ngritur 16 Njësi për Mbrojtjen e Fëmijëve, në 12 Bashki dhe 4 komuna, të cilat funksionojnë që nga viti 2006. Këto Njësi janë struktura të Departamentit të Shërbimeve Sociale nëpër Bashki dhe Komuna që ofrojnë një sërë shërbimesh parandaluese dhe mbrojtëse për fëmijë të cilët identifikohen dhe referohen tek këto njësi si fëmijë në rrezik të lartë ose si viktima të dhunës, abuzimit, braktisjes, shfrytëzimit apo trafikimit. Roli i këtyre Njësive është vlerësimi i situatës për fëmijët që ndodhen në rrezik apo në situata të ndryshme keqtrajtimi dhe koordinimi shumë-palësh për dhënien e ndërhyrjeve të duhura mbrojtëse në interesin më të lartë të fëmijës, duke u kujdesur që fëmija të ketë mundësi të zhvillojë potencialin e tij/saj të plotë në përputhje me të drejtat e tij. Në këtë aspekt, Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve bashkëpunojnë ngushtë me aktorë të disiplinave të ndryshme si mësues, psikologë të shkollave, mjekë, oficerë të policisë dhe autoriteteve të ligjit për t’u ofruar këtyre fëmijëve shërbimet dhe masat e duhura mbrojtëse sipas rastit. Që prej 2006, këto njësi kanë arritur të ofrojnë rezultate efektive në dhënien e ndihmës së drejtëpërdrejtë për fëmijët në nevojë si dhe familjet e tyre. Ardhja në dritë e Protokollit të Punës së Punonjësve për Mbrojten e Fëmijëve përbën një hap të rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta dhe të vazhdueshme për të garantuar respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të çdo fëmije në komunitetin tone. Ky dokument i rëndësishëm do të ofrojë tashmë një qasje standarde dhe do të shërbejë si një model dhe udhëzues për bashkitë/ komunat e tjera për të krijuar shërbime të ngjashme, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut të gjerë mbi çështjet e të drejtave të fëmijëve, si dhe për të shtrirë rrjetin mbrojtjës për fëmijët në të gjithë Shqipërinë. Përcaktimi dhe njohja sa më mirë e të drejtave dhe detyrave që lindin për të mbrojtur fëmijët nga fenomene që cenojnë mirëqenien e tyre merr një rëndësi parësore. Në mënyrë të veçantë punonësit socialë dhe specialistët e kësaj fushe mbartin një përgjegjësi e detyrim madhor, i cili buron nga përkushtimi i të gjithë shoqërisë për t’u garantuar fëmijëve një fëmijëri larg fenomeneve denigruese, ashtu sikurse duhet të ofrojnë mbrojtje e rikithim sa më të natyrshëm në jetën e mëparshme nëse bien pre e këtyre dukurive.