Bashkia e Durrësit ka organizuar në sallën e këshillit bashkiak ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri, përfaqësues të organeve të tjera të pushtetit vendor, etj. Ceremonia është çelur me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe më pas e ka marrë fjalën kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili deklaroi se do të kujtojmë gjithmonë me respekt të gjithë ata që e deshën qytetin aq shumë sa sakrifikuan edhe jetën e tyre për të. Midis të tjerash kryebashkiaku Dako u shpreh “Jam i nderuar sot, që bashkë me ju, të kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan jetën për lirinë e atdheut, një akt fisnik e i denjë për çdo atdhetar. Ne sot përulemi me nderim të veçantë, para gjithë atyre që ju kushtuan kredos kombëtare dhe nuk kursyen asgjë në emër të saj. Ata janë një model për ne dhe për brezat e rinj. Ata janë një model që nuk vjetërohet. Ideali i lirisë në këtë kohë të ndërvarësisë; ideali i identitetit në këtë kohë të globalizmit; ideali shqiptar në këtë kohë të europeizmit, nuk janë aspak në kundërthënie ndaj njëri-tjetrit. Një Shqipëri europiane ishte ëndrra e të gjithë atyre patriotëve që derdhën gjakun për këtë vend; është aspirata e rinisë dhe e gjithë popullit sot. Sakrificat e të gjithë atyre të rënëve, heronjve dhe dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e këtij qyteti dhe të vendit tonë, mbeten një mesazh i fuqishëm për të gjithë brezat që e duan Shqipërinë. Ne i kujtojmë me respekt të thellë ngjarjet e protagonistët që e shkruan atë histori të lavdishme në të shkuarën, duke reflektuar për lirinë dhe vlerat e lirisë në jetën që bëjmë, shoqërinë ku jetojmë, botën që ndërtojmë. Nderimi i veprave të mëdha patriotike e i vetë protagonistëve të lavdishëm të së shkuarës së qytetit tonë duhet të mos mbetet thjesht një nderim ceremonial për të shkuarën, por të jetë njëkohësisht edhe vijimi i atyre veprave, përmes reflektimit në jetën e punën tonë, të vlerave që sot na mblodhën këtu, në emër të lirive e të të drejtave që u mbrojtën me jetë njerëzish. Ne kemi të drejtë dhe kemi përgjegjësi të kthejmë kryet pas dhe të mësojmë prej të parëve. Vepra e njerëzve idealistë të asaj kohe të lavdishme do të jenë kurdoherë nderi i qytetit tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi i të rënëve dhe kjo ditë e shënuar e çlirimit të qytetit tonë.” Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës të cilën sollën kujtimet e tyre nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare dhe nga dita e çlirimit të Durrësit. Ndërkaq gjatë ceremonisë organizata e veteranëve të LANÇ-it i ka akorduar kryebashkiakut Vangjush Dako titullin “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ” me motivacionin për kontribut të veçantë që kryebashkiaku Dako jep në organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve përkujtimore të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar, për mbrojtjen dhe transmetimin ndër brezat e rinj të vlerave të patjetërsueshme të saj. .