Modeli i Bashkisë së Durrësit përsa i përket informatizimit të plotë të saj në lidhje me të gjitha shërbimet për qytetarët dhe bizeneset taksapaguese do të merret si model për 10 bashki të vendit që po aplikojnë të njëjtin sistem informatizimi. Pikërisht për ti njohur këto bashki me mënyrën sesi operon Bashkia e Durrësit pas një procesi të plotë informatizimi ka shërbyer takimi që është zhvilluar në Bashkinë e qytetit bregdetar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 10 bashkive të vendit që po punojnë për këtë sistem. Në këtë takim merrte pjesë nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Adrian Çela që i njohu të pranishmit me lehtësirat që ka sjellë ky informatizim përsa i përket marrëdhënies së bashkisë së Durrësit me bizneset dhe qytetarët dhe lehtësirat që i ofrohen këtyre grupeve. Me këtë program Bashkia e Durrësit krijon mundësinë që qytetarët të marrin përgjigje për nevojat e tyre në qendrat e njësive administrative si dhe në një rrjet kioskash informuese që po instalohen në qytet. Sipas nënkryetarit Çela me këtë program Bashkia e Durrësit ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore përcjelljen e informacionit tek qytetarët si dhe marrëdhëniet e qytetarëve me bashkinë e Durrësit. Me këtë program Bashkia e Durësit ka një fytyrë krejt të re në marrëdhënie me 47 mijë familjet që banojnë në Durrës, që kanë nevojë për shërbime e që paguajnë taksa, ka një fytyrë krejt të re në marrëdhënie me rreth 4 mijë biznese të vogla që zhvillojnë aktivitet në Durrës, që kanë nevojë për shërbime e që 4 herë në vit kanë detyrimin për të paguar taksa. Me këtë program Bashkia e Durrësit ka një fytyrë krejt të re në marrëdhënie me rreth 6 mijë biznese që zhvillojnë aktivitet në Durrës, që kanë nevojë për shërbime. Pra janë më shumë se 100 mijë komunikime të reja që do të bëhen me 205 mijë banorët e qytetarët. Sistemi, i cili u zhvillua përmes Programit të USAID-it për Qeverisjen Vendore në Shqipëri (LGPA), mundëson një administrim më eficient dhe më efikas të vjeljes së tatim-taksave dhe ofrimit të shërbimeve, që do të rezultojnë në të ardhura më të mëdha nga tatim-taksat për bashkinë dhe në shërbime më të mira për qytetarët. Në këtë takim merrte pjesë edhe drejtori i USAID David Smith i cili ka diskutuar gjerësisht në lidhje me këtë program dhe shtrirjen e tij në Shqipëri. Bashkitë që kërkojnë të zbatojnë të njëjtin model informatizimi si Bashkia e Durrësit dhe ku ka filluar pjesërisht ky proces janë Elbasani, Fieri, Fushë-Kruja, Gramshi, Korça, Kukësi, Lezha, Librazhdi, Pogradeci dhe Shkodra. Pikërisht në këtë takim përfaqësuesit e Bashkisë së Durrësit kanë prezantuar programin e plotë të këtij informatizimi që kryhet me fondet e Bashkisë së Durrësit në vlerën e 75 milion lekëve të ndarë në tre faza. Ky proces ndodhet aktualisht në fazën e tretë të tij. Faza e parë përfshiu ndërtimin e sistemit të menaxhimit financiar, burimeve njerëzore dhe pagat, platformën e tipit ERP(planifikimi i resurseve të institucionit). Faza e dytë kishte të bënte me ndërtimin e një platforme të integruar të tipit CRM(administrimi i kontaktit të informatizuar me qytetarët dhe bizneset). Tashmë në Bashkinë e Durrës janë të informatizuara sektori i financave, departamenti i taksave, burimet njerëzore dhe pagat, protokoll-arkiva, marrëdhëniet me publikun. Faza e tretë që është në proces ka të bëjë me krijimin e një rrjeti të përbashkët me të gjitha institucionet e tjera. Së bashku me Departamentin e Thesarit të Ministrisë së Financave, USAID-i ka modifikuar sistemin e kompjuterizuar të thesarit, në mënyrë që t’u mundësojë njësive vendore ku procesi ka filluar akses në të dhënat elektronike ditore që kanë lidhje me të gjitha të ardhurat tatimore dhe jo-tatimore të shpërndara sipas zërave në llogarinë e qeverisjes vendore. Gjithashtu, USAID-i po punon me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve që t’u mundësojë njësive të qeverisjes vendore akses në të dhënat elektronike të qarkullimit të tatimpaguesit, bazuar në kuponat e kasave regjistruese për ato biznese që ndodhen brenda kufijëve të tyre territorialë. Të dy sistemet duhet të vihen në punë brenda muajve të ardhshëm. Deri më sot, USAID-i e ka prezantuar sistemin e ri të kompjuterizuar të tatim-taksave vendore në 9 bashki, përfshirë Lezhën, Fierin, Fushë-Krujën, Korçën, Pogradecin, Shkodrën, Elbasanin, Gramshin dhe Kukësin. Programi i USAID-it për Qeverisjen Vendore në Shqipëri (LGPA) punon me bashkitë partnere në Shqipëri për nxitjen e zhvillimit të ekonomisë vendore, për përmirësimin e qeverisjes vendore dhe për fuqizimin e pjesëmarrjes dhe angazhimit të shoqërisë civile dhe të sektorit privat në zhvillimin vendor.