Bashkia e Durrësit gjatë punës së saj është përpjekur të punojë jo vetëm për modernizimin e qytetit nëpërmjet investimeve shumë planëshe në rrugë, ndriçim, mjedis, shkolla, kopshte, sheshe, parqe, kanalizime etj., por edhe në drejtim të rritjes së rolit të gruas në jetën e qytetit, por edhe të kujdesit social ndaj saj. Këtë fakt kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, e ka nënvizuar edhe gjatë një takimi të zhvilluar sot në Shkozet, në ambientet e një aktiviteti tregtarë në fushën e rrobaqepsis, ku shumica e të punësuarve janë gra. Gjatë këtij takimi kryebashkiaku Dako ka vënë theksin në punën e vazhdueshme të Bashkisë që barazia gjinore të mos jetë një deklamim politik, por një realitet konkret. Sipas tij, Bashkia e Durrësit është e vetmja në Shqipëri që ka një zyrë për barazinë gjinore. “Puna e Bashkisë në drejtim të barazisë gjinore është mjaft serioze. Ne nuk jemi mjaftuar vetëm me hapjen e kësaj zyre, por kemi por kemi zhvilluar edhe punë konkrete në drejtim të ndihmës sociale që u kemi afruar shumë grave në nevojë. Rreth 500 gra kanë marrë shërbim mjekësor falas, falë kontributit të Bashkisë. Kjo është një provë serioze e angazhimit tonë që puna e Bashkisë të ketë edhe dimensionin social, dimension i cili ka të bëjë me dinjitetin njerëzor dhe ndërtimin e një shoqërie sa më të drejtë”, ka nënvizuar Dako. Kryebashkiaku, me këtë rast, nuk ka ngurruar të evidentojë edhe faktin se partia që ka kandiduar kundërshtarin e tij në këto zgjedhje, Ferdinand Xhaferraj, përbën dëshmi të qartë se punojnë kundër barazisë gjinore. Për këtë, sipas tij, mjafton të shikohet edhe lista e kandidatëve ku mungojnë thuajse tërësisht kandidatet femra. Sipas Dakos, ashtu si dhe me premtimet e tjera, deklaratat e kandidatëve të qeverisë, përbëjnë mashtrime dhe mungesë të theksuar serioziteti politik dhe qytetar. Kryebashkiaku, me këtë rast, nuk ka ngurruar të fshikullojë kundërshtarin e tij politik në zgjedhje se jo vetëm mashtron dhe shpif, por dëshmon se është edhe i paditur. “Bashkia e Durrësit ka taksat më të ulëta për qytetarët e saj, vetëm 1400 lekë në vit për gjelbërimin, ndriçimin, pastrimin e qytetit etj. Ndërsa qeveria e z. Xhaferraj vetëm për taksën e televizionit publik, që vetëm publik nuk është por është i qeverisë, u merr qytetarëve 1440 lekë në vit. Të deklarosh se do ulësh taksat me 50% siç bën Xhaferraj, dëshmon jo vetëm që mashtron, por edhe një pozicion mjerues për një ish-ministër që s’ka dijeninë më minimale për ligjin dhe sistemin e taksave në Shqipëri”, ka nënvizuar Dako. Sipas tij, Bashkia, ashtu si deri më sot, do të vijojë me politikat e saj mbështetëse për biznesin pa ngjyrime partiake dhe pa frikën që përpiqen të mbjellin qeveritarët e PD-së në qendër dhe në Durrës se po u takove me zyratarë lokal të PS-së të sjellim tatimet në derë. Të tilla forma, sipas Dakos, nuk mund të frenojnë punën e Bashkisë, sepse Durrësi nuk ndalet më.