Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri Wang Junling. Ambasadori kinez shfaqi një interesim maksimal për qytetin e Durrësit dhe atë çka ofron ky qytet përsa i përket veçanërisht sektorit ekonomik dhe atij të turizmit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka bërë ambasadorit kinez një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik ku ka përshkruar rolin e rëndësishëm në ekonominë e të gjithë Shqipërisë të portit të Durrësit. Kryebashkiaku Dako ëshët shprehur se Durrësi ka cfarë ti ofrojë investitorëve të huaj dhe në këtë këndvështrim ai ka kërkuar një nxitje më të madhe të biznesit kinez për të investuar në Durrës. Kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke e njohur ambasadorin Junling me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja. Nga ana e tij ambasadori kinez Junling ka falenderuar kryebashkiakun Vangjush Dako për pritjen dhe deklaroi se kishte dëgjuar edhe më parë për qytetin e Durrësit si një qytet mjaft i rëndësishëm turistik dhe me resurse të mëdha ekonomike. Ambasadori Junling ka biseduar gjatë me kryebashkiakun Dako në lidhje më shumë fusha por kryesish atë ekonomike ku mund të ngjallet edhe interesimi i investitorëve kinezë. Po kështu biseda është ndalur edhe në sektorin e turizmit i cili gjithashtu është një sektor mjaft i rëndësishëm përsa i përket ekonomisë së qytetit dhe të gjithë Shqipërisë. Në fund të takimit i cili kaloi në një frymë shumë miqësore, kryebashkiaku Dako dhe ambasadori kinez Junling shkëmbyen dhuratat e rastit ku kreu i bashkisë së Durësit Vangjush Dako i dhuroi ambasadorit ndërmjet të tjerash një punim artistik artizanal të veçantë ku ishin të gdhendura monumentet kryesore arkeologjike të qytetit të Durrësit ndërsa ambasadori kinez Junling i dhuroi kryebashkiakut Dako një punim tradicional artizanal kinez. Pas takimit në Bashki ambasadori kinez Junling i shoqëruar nga kryebashkiaku Dako kryen një vizitë në Muzeun Arkeologjik të Durrësit ku ambasadori Junling u njoh me historinë tre mijëvjecare të qytetit të Durrësit dhe është shprehur i impresionuar për atë cfarë ka parë në muzeun arkeoligjik dhe duke theksuar se qyteti i Durrësit ka një histori shumë të pasur që ndikon në zhvillimin e turizmt arkeologjik krahas llojeve të tjera të turizmit që ofron ky qytet.