Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe oragnizata PASS në kuadër të programit Ecovolis kanë dhuruar 10 biçikleta për fëmijët jetimë të Qendrës së Fëmijëve në Shkozet të Durrësit. Kryebashkiaku Dako është pritur në një ambient festiv të organizuar nga vetë fëmijët e qendrës dhe u ka dhuruar atyre biçikletat tepër cilësore. Kryebashkiaku Dako u shpreh se më shumë sesa dhuratë për fëmijët biçikleta që në këtë moshë do ti mësojë ata me një mënyrë ekologjike të lëvizuri duke bërë që fëmijët e sotëm kur të rriten do të kenë edhe më shumë respekt për mjedisibn e do ta mbrojnë më shumë atë: “Është shumë e rëndësishme që ti mësojmë fëmijët tanë me këtë mënyrë të shëndetshme për të luajtur dhe lëvizur. Nëse i edukojmë fëmijët dhe u mësojmë atyre që tani për të ruajtur mjedisin me siguri që nesër kur të rriten do të kemi një ambient më pak të ndotur dhe më tepër qytetarë që do të kujdesen për këtë ambient.” Më tej ryebashkiaku Dako u shpreh se Bashkia e Durrësit po mbështet disa projekte mjedisore dhe njëri prej tyre është pikërisht projekti që parashikon stacione biçikletash Ecovolis në Durrës ku deri tani janë vendosur dy stacione të tillë në qytet: “Kjo është një nismë që mbështetet fuqimisht nga Bashkia e Durrësit pasi ne kemi prioritet të punës tonë mbajtjen pastër të mjedisit dhe nisur nga kjo mbështesim çdo nismë në këtë drejtim. Të lëvizësh me biçikleta në një qytet turistik si Durrësi jo vetëm ndikon në mbajtjen pastër të mjedisit por njëkohësisht lehtëson edhe trafikun në qytet sidomos gjatë sezonit turistik. Ne kemi gati edhe një sërë projektesh për krijimin e shumë pistave dhe korsive të biçikletave që fillojnë që nga plazhi dhe vazhdojnë në qytetin e Durrësit dhe mendoj se vitin e ardhshëm mund të fillojmë të konkretizojmë këto projekte gjë që do të stimulonte lëvizjet në qytet me biçikleta.”