Bashkia e Durrësit në vazhdën e projekteve të saj për nxitjen e punësimit dhe konkretisht në kuadër të projektit të punësimit të të rinjve ka organizuar në pallatin e kulturës A.Moisiu panairin e punës me moton Dritare të Hapura. Në këtë panair kanë marrë pjesë tetë kompani të mëdha që operojnë në qytetin e Durrësit dhe në të gjithë vendin dhe kanë qenë këto kompani që kanë ofruar vendet e tyre të lira të punës për djetra të rinj pjesëmarrës në panair të cilt duke paraqitur edhe cv-të e tyre pranë këtyre kompanive mund të kenë një shans për punësim. Në këtë panair merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili në fjalën e tij u shpreh se punësimi është një prioritet për Bashkinë e Durrësit: “Punësimi dhe sidmos punësimi i të rinjve që mbarojnë shkollat dhe nuk arrijnë të integrohen në tregun e punës është prioritet për Bashkinë e Durrësit. Ne kemi nxitur në sajë të projekteve të ndryshme politikat e punësimit dhe ky panair është në vazhdën e politikave dhe projekteve të Bashkisë së Durrësit për nxitur punësimin e të rinjve dhe ulur papunësinë në qytet. Ky panair ofron disa shanse për të rinjtë e kualifikuar që kërkojnë të punësohen dhe në të ardhme ne do të vazhdojmë të punojmë në drejtim të nxitjes së punësimit të të rinjve duke zhvilluar dhe mbështetir projekte të ndryshme që nxisin punësimin në qytet.” Pas fjalës përshëndetëse në hapjen e këtij panairi kryebashkiaku Vangjush Dako i ka vizituar të gjitha pavionet e këtij panairi duke u njohur nga afër me kompanitë pjesëmarrëse dhe kërkesat e tyre për punësimin e të rinjve. Në panair ka patur një interesim maksimal të dhjetra të rinjve që janë njohur me atë çka ofrojnë disa nga kompanitë e mëdha në vend lidhur me punësimin në to.