Është çelur në Durrës gara e parë ndërkombëtare e varkave me vela Durrës International Sailing Regatta që do të zhvillohet në Durrës për tre ditë me rradhë me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. Me këtë rast është organizuar një ceremoni e veçantë në shëtitoren Taulantia ku në emër të Bashkisë së Durrësit drejtori i politikave zhvillimore në këtë Bashki Sokol Kokomani pasi ka përshëndetur pjesëmarrësit e kësaj gare si dhe organizatorët ka deklaruar se evente të tilla sportive i japin gjallëri jetës sportive të qytetit por janë edhe imazh pozitiv gjatë sezonit turistik ku gara të tilla me regata janë një atraksion i veçantë për turistët që vizitojnë Durrësin gjatë kësaj vere. Kjo garë zhvillohet në vazhdën e aktiviteteve sportive e kulturore të këtij sezoni që gjithmonë përkrahen nga Bashkia e qytetit dhe nga kryebashkiaku Vangjush Dako i cili ka deklaruar vazhdimisht se Bashkia e Durrësit do të mbështesë gjithmonë aktivitete të sporteve të ujit që i shërbejnë imazhit turistik të qytetit. Durrës International Sailing Regatta organizohet nga Yacht Club Albania, klub i themeluar në Durrës në vitin 2009, me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit dhe të Albania Yacht. Shtetet pjesëmarrëse në këtë garë janë Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia ku gjithsej do të garojnë 26 sportistë. Varkat që do të përdoren në këtë garë janë të llojeve Optimis dhe Laser. Garat do të zhvillohen deri në datën 6 gusht ditë në të cilën do të ndahen medaljet për fituesit. Për Shqipërinë në këtë aktivitet do të garojë nga sportistja e talentuar Iselda Carkanji. Qëllimi i zhvillimit të një aktiviteti të tillë si dhe i Yacht Club Albania është që të promovojë sportin e Velës në Durrës dhe në shkallë kombëtare madje së shpejti do të hapet edhe një shkollë për këtë sport ku do të përgatiten sportistë me qëllim përgatitjen e tyre për pjesëmarrje në gara të rëndësishme ndërkombëtare dhe olimpiada.