Është çelur në sheshin përpara pallatit të kulturës A.Moisiu me një spektakël të larmishëm sezoni turistik i këtij viti. Në këtë ceremoni kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka çelur zyrtarisht sezonin turistik 2013. Me këtë rast Bashkia e Durrësit kishte organizuar një sërë aktivitetesh si dhe një koncert festiv me artistë të njohur të vendit. Përpara koncertit banda muzikore e qytetit ka ekzekutuar pjesë muzikore ndërkohë që firma të ndryshme kanë ekspozuar produketet e tyre në shesh. Më tej ka nisur edhe koncerti festiv ku kanë performuar artistë të njohur si Xhensila Myrtezai, Bes Kallaku, Reshit Gjini, Kujtim Prodani, Silva Gunbardhi, Valbona Halili etj. Atmosfera festive është shoqëruar edhe me fishekzjarrë të shumtë që kanë zbardhur sheshin. Sezonin turistik e deklaroi të hapur kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i cili në fjalën e tij deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë dhe se qyteti ynë është i gatshëm për të pritur në mënyrën më të mirë të mundshme qindra mijëra pushues që do të vijnë jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe më gjerë: “Kemi zgjedhur këtë shesh për të celur sezonin turistik të qytetit tonë duke qenë të gatshëm për të pritur në mënyrën më të mirë të mundshme qindra mijëra pushues që do të vijnë jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe më gjerë. Qyteti ynë si gjithmonë do tu ofrojë këtyre pushuesve mikpritjen, akomodimin, komoditetin, shërbimin e pakursyer por edhe pasuritë e mëdha të trashëgimisë kulturore, evenimente artistike e çdo gjë tjetër që do të mund tua kthejë këto ditë pranë kësaj pjese të Adriatikut në të paharrueshme. Turizmi ka qenë dhe mbetet prioriteti i bashkisë sonë dhe promotori i zhvillimit ekonomik ndaj meriton vëmendjen e të gjitha palëve për të punuar sa më shumë në përmirësimin e infrastrukturës së këtij sektori kaq të rëndësishëm jo vetëm për Durrësin por për të gjithë Shqipërinë. Ne si bashki jemi angazhuar që të kemi një sezon turistik sa më të suksesshëm e sa më pranë kërkesave të turistëve të shumtë që pritettë vizitojnë qytetin tonë këtë verë dhe jemi të bindur se qyteti ynë, si zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv dhe atë elitar, i ka tashmë të gjitha potencialet për të dalë faqebardhë në këtë ballafaqim të përvitshëm duke plotësuar çdo mangësi të evidentuar në vitet e mëparshme. Zëri juaj për të përcjellë tek ne çdo problematikë që ju konstatoni është një ndihmë e madhe për të cuar më tej këtë zhvillim të pandalshëm drejt përsosjes së cilësisë së shërbimit. Mirësevini në Durrës pushues të nderuar. Edhe këtë vit ju do të shijoni pushime të paharruara në plazhin më të frekuentuar të vendit. Deti, kuzhina tradicionale, monumentet historike dhe arkeologjike, aktivitetet e shumta artistike përbëjnë vlerat e pazëvendësueshme të qytetit tonë. Mund të them se këtë vit jemi të angazhuar për të patur një sezon sa më të suksesshëm. Urimi im për të gjithë është: Kalofshi pushime të mbara e të gëzuara.” Durrësi këtë vit do të shpalosë kulturën dhe vlerat historike të një prej qyteteve më antike të Ballkanit. Durrësi është zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv dhe atë elitar. Përvec turizmit të banjove diellore Durrësi ofron, turizmin kulturor për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore që ka ky qytet. Krahas objekteve të shumta arkeologjike, qyteti i Durrësit ofron dhe shumë objekte të tjera historike dhe kulturore me rëndësi për t’u vizituar. Në tërësi qyteti i Durrësit përbën një ansambël shumë të rëndësishëm historik dhe kulturor të Shqipërise. Tani turizmi në këtë qytet nuk është një perspektivë, por një realitet që preket cdo ditë. Në këtë ceremoni të çeljes së sezonit turistik qindra të rinj e të reja të pranishëm kanë ndjekur programin e larmishëm artistik si dhe aktivitetetet e tjera të organizuara nga Bashkia.