Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në një konferencë të rëndësishme në Janinë të Greqisë ku është diskutuar në lidhje me bashkëpunimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis bashkive kryesore të Greqisë dhe bashkisë së Durrësit si dhe bashkive të tjera të vendit tonë. Kjo konferencë është organizuar nga lëvizja e 5 kryetarëve të bashkive greke ku marrin pjesë George Kaminis i Athinës , Janis Butaris nga qyteti i Selanikut , Panos Skotiniotis nga qyteti i Volos , Ioannis Dimaras nga qyteti i Patras dhe Filippos Filios nga qyteti i Janinës. Në këtë konferencë kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka bërë një rezyme të qytetit të Durrësit dhe vlerave mjaft të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që ai ka si dhe resurset turistike të qytetit. Po kështu kryebashkiaku Dako ka bashkëbiseduar me kryetarët e bashkive greke në lidhje me bashkëpunimin e ndërsjellë dhe forcimin e marrëdhënieve midis palëve për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomisë së qyteteve të dy palëve dhe zhvillimin e ideve të reja, programet dhe politikat që do të ndihmojnë menaxhimin e qeverisë lokale për bashkitë në Greqi, në BE dhe Shqipëri. Lëvizja e 5 kryetarëve të bashkive greke është një nismë e ndërmarrë dy vjet më parë nga një numër i kryetarëve të bashkive në Greqi në mënyrë që të formojnë një ekip të njerëzve që do të merren me çështjet e qeverisjes vendore dhe politikave të zhvillimit.