Bashkia e Durrësit ka ndërmarrë nismën për njohjen dhe mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore të qytetit. Për këtë qëllim në pallatin e kulturës A.Moisiu është organizuar takimi me nxënës të shkollave të mesme të Durrësit ku nën drejtimin e arkeologes së mirënjohur Lida Miraj është diskutuar në lidhje me trashëgiminë kulturore të qytetit ku nxënësit janë njohur me vlerat e jashtëzakonshme historiko kulturore të Durrësit. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili u shpreh se është mjaft e rëndësishme njohja dhe ruajtja e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore:“Unë i përshëndes të gjithë ju të rinjtë që keni dëshirë të njiheni dhe të kontribuoni në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe vlerave historike të qytetit. Ne duhet të njohim mirë të shkuarën që të ecim përpara ndaj të gjithë duhet të njohin mirë trashëgiminë kulturore të qytetit dhe të vendit tonë dhe ta ruajmë atë. Unë i falenderoj të gjithë të rinjtë që na mbështesin në inisiativën tonë dhe Bashkia e Durrësit do të ndërmarrë gjithmonë nisma që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe promovimin e vlerave të qytetit. Aseti më i madh i trashëgimisë sonë kulturore është amfiteatri por jo vetëm pasi qyteti ynë ka shumë asete të tilla që duhen ruajtur dhe promovuar nga të gjitha moshat dhe të gjithë qytetarët pasi duke njohur mirë këtë të kaluar me shumë vlera mund të projektojmë më mirë të ardhmen e qytetit.” Në kuadër të këtij aktiviteti është organizuar me nxënësit e shkollave të mesme të Durrësit edhe aksioni për pastrimin e amfiteatrit të Durrësit me moton “Monumentet duhet ti duam që ti mbrojmë”.