Në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes dy ministrive, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme “Për identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në situate rruge” është hartuar dhe po zbatohet Plani Kombëtar i Veprimit “Ndihmë për Familjet dhe Fëmijët në situate rruge”. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (ASHMDF), që po koordinon zbatimin e këtij Plan Veprimi në nivel kombëtar është në proces bashkëpunimi me Bashkinë Durrës, për shtrirjen dhe zbatimin e planit në Bashkinë Durrës. Në këtë kuadër ,Bashkia Durrës me mbështetjen e ASHMDF, me qëllim organizimin e ndërhyrjes së koordinuar ndër sektoriale për zbatimin e Planit të Veprimit ka organizuar takimin ndër institucional për zbatimin e Planit të Veprimit “Ndihmë për fëmijët dhe familjet në situate rruge”. Bashkia e Durrësit është mjaft e ndjeshme për problemet e shtresave të ndryshme në nevojë dhe në këtë kuadër Bashkia ka një sërë zyrash për mbrojtjen e këtyre kategorive si dhe qendra të ndryshme sociale. Në takim drejtori i kabinetit të Bashkisë Durrës Lavdosh Beqiraj i cili përfaqësonte Bashkinë në këtë takim deklaroi se ky Plan Veprimi është një përpjekje për të kuptuar më mirë situatën e fëmijëve të rrugës si dhe synon tu vijë në ndihmë atyre në përkujdes shoqëror, mbrojtje sociale, mundësi për tu integruar në shkollë apo për tu pajisur më certifikatë lindjeje dhe për tu aktivizuar në kampe verore të organizuara nga Bashkia apo aktivitete të ndryshme. Këta fëmijë janë veçanërisht fëmijë nga komunitetet romë apo egjiptian ose të familjeve të varfra dhe me probleme sociale. Nga qendrat ditore ofrohen disa shërbime ditore nga OJF-të, ku u ofrohet ndihmë materiale, asistencë shkollore dhe përgatitje për klasa të integruara si dhe kurse kundër analfabetizmit dhe formim profesional. Të gjithë aktorët pjesëmarrës në takim kanë treguar angazhimin e tyre të plotë për tu ardhur në ndihmë fëmijëve. Nga puna në terren është vënë re që fëmijët lypin ose shesin në rrugë, në zonat pranë Sheshit Taulantia, stacioni i trenit, zona e portit, zona e plazhit, plepa etj. Gjatë periudhës së verës fëmijët vijnë dhe nga zona të tjera si Fieri, Elbasani, Tirana dhe Vlora. Fëmijët kanë raportuar se rrinë në zonën e Durrësit dhe jetojnë në Durrës pranë zonës së “ish Kënetës” dhe “Nish-Tulla”. Disa prej tyre jetojnë me të afërmit që janë banorë të përhershëm të këtyre zonave. Ky Plan Veprimi po zbatohet me hapa konkrete për tu ardhur në ndihmë fëmijëve të gjendur në situatë rruge. Të gjithë institucionet, organizatat dhe profesionistët e angazhuar në këtë plan veprimi kanë detyrimin ligjor apo statuor të ndihmojnë fëmijët. Puna e përbashkët në këtë Plan Veprimi do të mundësojë që përpjekjet e tyre në këtë drejtim të bashkërendohen dhe të jenë më efektive për fëmijët.