“Kosto e dhunës në qytetin tënd” është një fushatë kombëtare iniciuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara, UN Women, e cila shtrihet përgjatë një dite, në të gjitha bashkitë kryesore të vendit, me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe strukturave qeverisëse, mbi koston që viktimat apo të dëmtuarat/it nga dhuna me bazë gjinore, kanë për ekonominë lokale dhe atë kombëtare. Bashkia Durrës në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”, e nxitur nga UN Women dhe UNDP (Program i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim) zhvilloi në qytetin e Durrësit, fushatën një ditore nëpërmjet aktiviteteve informuese/sensibilizuese publike dhe një diskutim të hapur me përfaqësues të lartë të strukturave lokale, UN Women dhe UNDP (Program i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim), përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë. Qëllimi i fushatës njëditore ishte sensibilizimi qytetar dhe debati social rreth kostove që një viktimë e dhunës ka për secilin institucion dhe për shoqërinë, si dhe rëndësia e buxhetimit të këtyre kostove në të gjitha hallkat e saj. Kjo fushatë ndërthur ndërgjegjësimin qytetar, mediatik dhe diskutimit të institucioneve përkatëse mbi kostimin e viktimave të dhunës. Fushata nisi në sheshin “Liria” pranë Bashkisë Durrës me aktivitetet informuese e sensibilizuese publike të organizuara nga Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” dhe rrjetit të saj të vullnetarëve duke informuar qytetarët durrsakë mbi çështje të dhunës në familje dhe kostos së ajo mbart dhe afekton jetën e të gjithëve. Më pas fushata vijoi me tryezën teknike me me anëtarët e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të Dhunës në Familje, të cilëve u përcillet dhe mendimi qytetar. Me të pranishmit u diskutua informacioni bazë mbi kostot që një viktimë e dhunës ka për secilin institucion dhe për shoqërinë, si dhe rëndësia e buxhetimit të këtyre kostove në të gjitha hallkat e saj. Parandalimi dhe menaxhimi i dhunës në familje, përfshin kosto të drejtëpërdrejta nga institucionet përgjegjëse lokale dhe qëndrore, si Gjykatat, Institucionet e Edukimit, Bashkisë, Policisë, Shëndetësia etj. Nevojitet që të gjitha institucionet dhe strukturat qeverisëse, pjesë e mekanizmit të mbrojtjes, të koordinojnë punën si dhe kërkohet një buxhetim i vazhdueshëm dhe i kujdesshëm në kuadër të ofrimit të shërbimeve cilësore dhe të nevojshme për mbrojtjen dhe trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore. Anëtarët e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të Dhunës në Familje Durrës janë: Drejtoria Arsimore e cila luan një rol kyç në trajtimin e problemeve të dhunës në familje, kryesisht nëpërmjet identifikimit të rasteve bazuar në sjelljen dhe qëndrimin e fëmijëve në ambjentet shkollore; Gjykata e Rrethit Gjyqësor e cila është përgjegjëse për lëshimin e urdhërave të mbrojtjes, shpenzon burime për dëgjimin e palëve, analizën e të dhënave dhe provave etj; Koordinatori/ja Vendor në Bashki ndjek hapat e përcaktuar për Mekanizmin e Referimit, dhe luan një rol të rëndësishëm për referimin e rastit të dhunës dhe bashkërendimin me aktorët e tjerë; Zyra e Përmbarimit ka detyra të rëndësishme që lidhen drejtpërsëdrejti me ekzekutimin e detyrueshëm të vendimeve gjyqësore për Urdhër Mbrojtje; Policia gjithashtu unon për parandalimin e krimit dhe adresimin e dhunës në familje; Edhe Zyra e Punës ka një rol të rëndësishëm në këshillimin e të mbijetuarës/it së dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, informimin për tregun e punës dhe përfshirjen në programet e nxitjes së punësimit; Strukturat e Shëndetit Publik kanë gjithashtu detyra të shumta për menaxhimin e rasteve të dhunës në familje përsa i përket trajtimit shëndetësor; Përfaqësuesi/ja i Shërbimeve Sociale pranë bashkisë është aktor i rëndësishëm i mekanizmit të bashkërendimit të institucioneve në nivel vendor; së fundmi Strehëzat ofrojnë akomodim dhe shërbime mbështetëse, për mbijetuarën/in, edhe për fëmijët duke patur një kosto të drejtëpërdrejtë në trajtimin e rastit. Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” është partneri nga shoqëria civile që merret me identifikimin e rasteve të dhunës, këshillimit psikologjik dhe juridik dhe referimit dhe adresimit të tyre në institucionin përkatës sipas vlerësimit psikologjik që realizon, si dhe ndjekja e tyre gjatë procesit. Ky partner ofron dhe shërbimin nëpërmjet numrit jeshil pa pagesë 0800 98 88.