Këshilli bashkiak i Durrësit miratoi me 29 vota pro buxhetin e vitit 2016 ndërkohë që këshilltarët e opozitës kanë votuar kundër. Në këtë mënyrë bashkia e Durrësit e miraton në këshillin bashkiak buxhetin, duke i hapur rrugë vazhdimit me intensitet të lartë të investimeve që vazhdojnë në të gjithë Durrësin në dobi të qytetarëve e po kështu miratimi i këtij buxheti i ka hapur rrugë një numri të madh investimesh në të gjitha zërat që do të bëhen në zonat e Ishmit, Katundit të Ri, Manzës, Rrashbullit dhe Sukthit që janë në territorin e bashkisë së re. Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se miratimi i buxhetit do të bëjë që bashkia të vazhdojë me intensitet punën e saj në dobi të gjithë qytetarëve të Durrësit me investime të shumta që janë në proces dhe të investimeve të reja që do të nisin këtë vit. Kryebashkiaku Dako theksoi se për realizimin e këtij buxheti janë organizuar takime me komunitetin  të shtrira në të gjithë bashkinë gjatë gjithë kohës, në kuadër të praktikave të buxhetimit me pjesëmarrje të cilat janë praktika të konsoliduara në Bashkinë e Durrësit dhe në vijim të përqasjes qytetare dhe të nevojave të tyre në buxhet. Këndvështrimi qytetar i shprehur në formën e opinioneve apo perceptimeve apo nëpërmjet të gjithë formave apo mekanizmave të tjerë të thithjes së këtij mendimi orientuan në hartimin e këtij buxheti për vitin 2016. Me miratimin e këtij buxheti përveç investimeve të shumta Bashkia e Durrësit ka ulur një sërë taksash dhe tarifash. Kështu është ulur me 30 % taksa për biznesin ku nga 400 lekë për m2 bëhet në 280 lekë për m2. Po kështu është ulur me 50 % taksa e ndërtesës për subjektet prodhuese që nga 400 lekë për m2 bëhet në 200 lekë për m2 në bashkinë qendër Durrës ndërsa për Manzën dhe Sukthin bëhet 100 lek për m2, ndërsa për Ishmin, Katundin e Ri dhe Rrashbullin bëhet 50 lekë për m2. Ulja e taksave për biznesin nga ana e bashkisë janë në vazhdën e politikave dhe ligjeve të miratuara nga qeveria shqiptare për uljen e taksave për biznesin ku tashmë është miratuar me ligj që subjektet me xhiro vjetore nga zero deri në 5 milion tatimi mbi fitim u bëhet zero ndërsa bizneseve me xhiro vjetore nga 5 deri në 8 milion tatimi mbi fitimin u ulet nga 7.5 % në 5%. Reforma administrativo-territoriale ka sjellë ndryshime të ndjeshme në bashkinë e Durrësit.  Me shtimin e 5 njësive: Ishëm, Manzë, Sukth, Katund i Ri dhe Rrashbull sipërfaqja e bashkisë nga 46.3km2 ka shkuar në 346.55km2. Ky ndryshim reflektohet  edhe në numrin e popullisë i cili nga 212.000 banorë ka shkuar në 306.000 banore. Duke u bazuar në këtë reformë,  institucionit të bashkisë i shtohen funksione të tjera si: Sherbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, personeli në arsimin parashkollor dhe atë parauniversitar, rrugëet rurale, administrimi i pyjeve, ujitja dhe kullimi dhe në këtë mënyrë burimet njerëzore shkojnë në 1533 punonjës. Këto ndryshime territoriale e institucionale janë imponuese edhe në prioritetet që bashkia cakton në buxhetin e vet. Për vitin 2016 fokusi kryesor do të jetë: infrastruktura rrugore  e njësive administrative, sistemet e kullimit të ujrave të bardha në qendër të Durrësit, rikualifikimi i hapësirave publike, infrastruktura arsimore, përfitimi i qytetarëve në nevojë nga programet e strehimit. Tre zërat e rëndësishëm ku bazohen të ardhurat e bashkisë janë: Taksat e tarifat vendore arkëtimi i të cilave pritet të jetë 1.35 miliard lekë, këtu përfshihen taksa e ndërtesës, truallit, tokës bujqësore, e pasurisë së paluajtshme, ndërtimit në infrastrukturë, etj ndërsa në tarifat janë pastrimi, ndricimi, gjelberimi, etj. Zëri  i dytë i rëndësishëm është transferta e pakushtëzuar 573 milion lekë si dhe zëri i tretë është transferta specifike e cila do të jetë 280 milion lekë. Totali i të trija këtyre zërave është 2.21 miliard lekë.