Është çelur në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” ekspozita që i kushtohet shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Kjo ekspozitë e përgatitur nga shoqata Italiane Agathos në bashkëpunim me Bashkitë e Durrësit është çelur me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës dhe do të qëndrojë e hapur për 1 muaj. Ekspozita e prezantuar në Durrës është një pjesë e parë e asaj që do të jetë Muzeu  'Nënë Tereza'. ideuar dhe realizuar me bashkëpunimin e një prej botuesve më të mëdhenj europian, Rizzoli- Corriere della Sera. Në çeljen e kësaj ekspozite ka qenë i pranishëm kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili deklaroi se ne jemi krenarë që shenjtorja Nënë Tereza është shqiptare dhe se të gjithë duhet të frymëzohen nga jeta dhe veprimtaria e saj: “Në kuadër të ditës së shenjtësrimit të Nënë Terezës edhe Bashkia e Durrësit ka hapur këtë ekspozitë e cila tregon jetën dhe veprimtarinë e shenjtores shqiptare. Me anë të kësaj ekspozite qytetarët do të njohin edhe më mirë veprimtarinë e Nënë Terezës për tja transmetuar atë brezave më të rinj në mënyrë që të gjithë të respektojnë dhe të vlerësojnë të gjithë ata shqiptarë që kanë kontribuar në të mirë të shoqërisë dhe njerëzimit. Ne jemi krenarë që shenjtorja Nënë Tereza është shqiptare dhe të gjithë ne shqiptarët duhet të ndjekim shembullin e saj në jetën dhe veprimtarinë tonë të përditshme duke u sjellë në përputhje me vlerat që ka promovuar kjo shenjtore.” Kjo ekspozitë tregon jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës nëpërmjet imazheve që janë publikuar në biografinë e botuar nga Rizzoli-Corriere della Sera si dhe fotografive të bëra nga fotografët më të mëdhenj që kanë ndjekur këtë figurë të rëndësishme gjatë viteve  (Collopy, Podestà, Morihiro). Tekstet janë ne gjuhën ,shqipe,  italiane dhe angleze.  Në stendat e ekspozitës përveç përshkrimit të imazheve  janë pasqyruar edhe thëniet më te bukura të Nënë Terezës gjatë jetës së saj. Ka edhe vende të tjera që i janë dedikuar ose që janë frymëzuar nga Nënë Tereza, por ekspozita e çelur në Durrës ka të gjitha tiparet për tu kthyer në vendin e vërtetë të mesazhit të kësaj figure të madhe, sepse ajo vjen në vendin e saj të origjinës, sepse për shqiptarët shenjtorja Nënë Tereza është një heroinë e vërtetë kombëtare, është figura që përfaqëson në mënyrën më të lartë në botë karakterin dhe shpirtin shqiptar të solidaritetit dhe bashkëjetesës mes kulturave dhe feve të ndryshme.