Bashkia e Durrësit ka prezantuar dhe ka diskutuar me komunitetin dhe grupet e interest në një dëgjesë publike projekt buxhetin e vitit 2017 që pas kësaj faze do të kalojë për miratim në këshillin bashkiak të qytetit. Në këtë prezantim të projektbuxhetit ku merrnin pjesë të gjitha grupet e interesit dhe qytetarë të Durrësit kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako pasi ka prezantuar projektbuxhetin e vitit 2017 ka diskutar gjerësisht me pjesëmarrësit në lidhje me prioritetet dhe projektet e ndryshme që do të zbatojë Bashkia e Durrësit gjatë vitit të ardhshëm. Kryebashkiaku Dako deklaroi se ky është buxheti më i madh që ka patur bashkia e Durrësit në këto 26 vjet ku përveç investimeve të shumta e të mëdha në infrastrukturë do të jetë gjithashtu edhe buxheti më i madh përsa i përket arsimit ku do të ndërtohen çerdhe, kopshte e shkolla të reja si dhe do të punohet intensivisht për përmirësimin e infrastrukturës së atyre ekzistuese. Bashkia e Durrësit për vitin 2017 paraqitet me një program të zhvillimit të saj ekonomik ku janë hartuar dhe përcaktuar programe sektoriale dhe prioritare të mbështetura në kostot reale. Në të përcaktohen qartë objektivat për çdo sektor si dhe raporti produkt/rezultat. Për realizimin e këtij buxheti janë organizuar takime me komunitetin  të shtrira në të gjitha njësitë administrative ku është diskutuar hollësisht paketa fiskale, në kuadër të praktikave të buxhetimit me pjesëmarrje të cilat janë praktika të konsoliduara në Bashkinë e Durrësit dhe në vijim të përqasjes qytetare dhe të nevojave të tyre në buxhet. Po kështu janë marrë në konsideratë edhe propozimet e komisionit këshillimor qytetar dhe këshillit rinor. Ky buxhet është orientuar nga strategjia territoriale me vizionin që Durrësi të bëhet platformë shkëmbimi e kompletuar me logjistikë mbështetëse për flukset kombëtare dhe ndërkombëtare të mallrave, energjisë dhe personave, qendër zhvillimi ekonomik tërheqës për investimet e huaja dhe qendër urbane policentrike e pjesshme që ofron shërbime cilësore ndaj qytetarëve dhe vizitorëve. Investimet zënë 38 % të totalit të fondeve për 2017 ku prioritare do të jenë investimet në infrastrukturën rrugore, ndërsa arsimi zë 14% të totalit të fondeve ndërsa strehimi dhe shërbimet sociale 26 %. Totali i buxhetit të Bashkisë së Durrësit për vitin 2017 është 4.329.675.000 lekë.