Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri kanë përurar njësinë e re administrative nr.6 që ndodhet në zonën e ish kënetës e quajtur Durrësi i Ri. Kjo njësi administrative është vendosur në një godinë të re ku mbi 40 mijë qytetarë të kësaj zone do të marrin shërbimet e gjendjes civile. Banorët do kenë mundësi të marrin shërbime në këtë zyrë, përfshirë: regjistrimin në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile; lëshimin e dokumentit të identitetit, të certifikatave të lindjes, familjare, të martesës apo vdekjes, etj. Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit do ti përgjigjet gjithmonë qytetarëve nëpërmjet punës për tu përmirësuar atyre cilësinë e jetesës: “Në rradhë të parë dua të falenderoj qeverinë shqiptare që na plotësoi këtë kërkesë të cilën e kishim miratuar në këshillin bashkiak por nuk merrte zgjidhje prej vitesh nga qeveria e mëparshme. Por qeveria dhe kryeministri Rama na e mundësuan të hapim këtë njësi që do ti shërbejë më shumë se 40 mijë banorëve të kësaj zone. Por përveç mundësimit të këtyre shërbimeve ne kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë edhe shumë investime në infrastrukturën e zonës pasi kjo është përgjigja jonë ndaj besimit të qytetarëve, punë dhe jo fjalë, punë për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të Durrësit në çdo zonë të bashkisë sonë.” Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri deklaroi se qeveria e kaluar bënte vetëm premtime që nuk mbaheshin kurrë dhe kjo është Shqipëria që lamë pas, e kjo dallon shumë nga Shqipëria që po ndërtojmë për të ardhmen, nga “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër”, ku kanë rëndësi jo fjalët, por puna: “Këtu jemi në Durrësin e  Ri, thuajse një qytet i tërë i cili po shndërrohet i tillë falë investimeve në infrastrukturë. Ndërkohë që mbi 40 mijë banorë kanë më se 10 vite që nuk merrnin as shërbimet më minimale si ato të Gjendjes Civile. Dhe ishte e pakonceptueshme që të bëje dhjetëra kilometra për të shkuar për të marrë një certifikatë. Kjo nuk ndodh. Ndaj, me qeverinë e kaluar që vendosi të kthente në Njësi Administrative, duhet të kishte ndodhur që këtyre njerëzve t’u jepej një mundësi për të marrë shërbimet, siç është dhe patjetër Zyra e Gjendjes Civile. Ky është saktësisht shembulli si mund të vihet, mund të premtohet për qytetarët, mund të ketë lloj-lloj përbetimi, në çdo fushatë ju vijnë në derë me çdo angazhim e premtim, por ku vjen puna qytetarët janë ata që harrohen. Kjo është Shqipëria që lamë pas. Dhe kjo dallon shumë nga Shqipëria që po ndërtojmë për të ardhmen, nga “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër”, ku kanë rëndësi jo fjalët, por puna. Unë e di që deri dje shumë nga ju shkonin disa kilometra për të marrë një certifikatë. Sot, mbi 40 mijë qytetarë të gjitha shërbimet e Gjendjes Civile i kanë këtu. Kjo ndoshta nuk është e mjaftueshme. Dhe jam shumë i bindur, ne e dimë që kjo është e pamjaftueshme për gjithçka ka nevojë kjo zonë. Por, po e nisim nga gjërat që bëhen, duke ndërtuar besimin reciprok me ju dhe me çdo qytetar të kësaj zone. Sepse kemi ende nevojë për të bërë gjëra më shumë. Por mbi të gjitha kemi ende nevojë për besimin tuaj, duke iu treguar se po: Ne punojmë. Dhe po kemi nevojë për besimin tuaj për të bërë ato që nuk janë bërë kurrë më parë. Ne sot hapim këtë zyrë të re ku çdo shërbim i Gjendjes Civile është për qytetarët e zonës. Ndërkohë do vazhdojmë, pa asnjë diskutim, me gjithçka tjetër i ka munguar kësaj zone, ashtu siç po bëjmë në çdo njësi, në çdo lagje, në çdo qytet, në të gjithë Shqipërinë. Ne jemi të bindur t’i dedikohemi punës dhe jo llafeve.”