Nënshkruhet Pakti i Mirëqënies Sociale mes Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Bashkive Durrës, Shijak dhe Fushë Krujë. Pakti i  nënshkruar në Qendrën e re Zhvillimore të Durrësit,  ka në thelb kalimin e kompetencave nga pushteti qëndror tek ai vendor për shërbimet. Pakti Kombëtar i Mirëqënies Sociale është duke u nënshkruar me të gjithë kryetarët e bashkive në vend, që ligji i ri për shërbimet sociale  i ngarkon me detyrimin dhe përgjegjësinë të ngrenë shërbime për cdo kategori në nevojë, familjet në ndihmë ekonomike, njerëzit me aftësi të kufizuar, fëmijët, moshën e tretë, gratë, ish viktimat e dhunës e trafikimit etj. Deri tani ngritja e shërbimeve është bërë  nga pushteti qëndror, ai vendor, organizatat joqeveritare apo shoqëria civile, por asnjëherë nuk ka patur një organizim të përbashkët të të gjitha institucioneve për të rritur burimet financiare, ato njerëzore dhe kapacitetet administruese. Pakti përvec transferimit të kompetencës së menaxhimit të shërbimeve, do të sigurojë edhe bashkimin e të gjitha këtyre përpjekjeve në një. Kjo do të sigurojë - tha minisitri Klosi- që në cdo territor, në cdo komunitet  të ketë shërbime për kategoritë e ndryshme në nevojë. Cdo bashki është e detyruar tashmë të hartojë dhe miratojë planin social të territorit që administron. Bashkia e Durrësit është e para që e ka hartuar tashmë këtë plan, e cila u prezantua gjatë këtij aktiviteti nga drejtoresha e cështjeve sociale në Bashkinë e Durrësit Meme Xhaferraj. Kjo bashki do t ë ngrejë disa qendra të reja, në zbatim të këtij plani të miratuar. “ Shërbimet do të ofrohen edhe në territoret më të largëta me qendrën e kësaj bashkie” – deklaroi kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Kryebashkiaku Dako deklaroi gjithashtu se Bashkia e Durrësit e ka prioritet të saj kujdesin social dhe ti gjendet në ndihmë shtresave në nevojë madje buxheti i këtij viti për kujdesin social është më i madhi i miratuar ndonjëherë për qytetin e Durrësit. Ministri Klosi deklaroi midis të tjerash: “Sot vimë në Bashkinë e Durrësit, ku kemi një plan të mirëfilltë social nga Bashkia e Durrësit, bashki e cila mbas reformës territoriale mori një territor shumë më  të madhe Bashkia tashmë ka më shumë kapacitete, ka më shumë mundësi financiare, ka më shumë staf dhe në fund të fundit ka më shumë detyrim për një plan të vërtetë social në bashkinë e re. Sot jemi në një produkt të vërtet decentralizimi, ku Bashkia e Durrësit merr përsipër që të bëjë një analizë totale të nevojave dhe specifikave që ka kjo bashki dhe ne sot firmosim së bashku me kryetarin e Bashkisë së Durrësit marrëveshjen për një pakt të mirëqenies sociale, kush janë detyrimet e institucionit qendror për të bërë politika dhe për të ofruar mundësi edhe financiare dhe kush janë detyrimet dhe përgjegjësitë që Bashkia e Durrësit merr për të ndërtuar këtë rrjet të Mirëqenies Sociale. Detyra jonë kryesore në këtë projekt është që ne të kuptojmë qartazi se ku shërbimet bazë ofrohen dhe ku kemi mundesi që ti ofrojmë më shumë. Shumë faleminderit ekspertëve që janë marrë me këtë me këtë Pakt të mirëqenies sociale, është modeli i parë që ne duam ta implementojmë në të gjitha bashkitë e vendit dhe modeli është shumë mirë kur është cilësor që në fillim  dhe natyrisht modeli do duhet të riplikohet në shumë e shumë bashki të tjera të cilat janë pjesë e këtij debati social që ne kemi me faktorë të ndryshëm.”