Bashkia e Durrësit ka organizuar një dëgjesë publike në lidhje me projektin Vela për të sqaruar opinionin publik rreth detajeve teknike të projektit, punimet që janë kryer deri tani, zbulimeve arkeologjike etj. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka bashkëbiseduar me të ftuarit që ishin pjesë e shoqërisë civile, arkeologë, arkitektë, historianë, specialistë të fushave të ndryshme, përfaqësues të drejtorisë së monumenteve të kulturës dhe qytetarë të Durrësit. Në fillim të fjalës së  tij kryebashkiaku Dako tha se po e zhvillojmë këtë dëgjesë pas akuzave të pavërteta në lidhje me investimin e bashkisë dhe sidomos pas akuzave që janë hedhur në drejtimin tonë për shkatërrim të vlerave arkeologjike. Dako theksoi se investimi po kryhet në në zonën arkeologjike B, në të cilën sipas rregullores së ministrisë së kulturës të vitit 2010 lejohen punime e po kështu punime janë kryer edhe në zonë tjetër të pakategorizuar arkeologjike pasi dikur kjo zonë ka qenë e mbuluar nga uji i detit. Në lidhje me muret e dala gjatë punimeve kryebashkiaku Dako tha se asgjë nuk është dëmtuar dhe se gjithçka ndodhet në monitorimin e rreptë dhe ruajtjen e arkeologëve të institutit të monumenteve. Bashkia e Durrësit – deklaroi Dako – është tepër e interesuar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe është e gatshme të veprojë në bazë të vendimit që do të marrin institucionet arkeologjike në lidhje me rrënojat e mureve. Kryebashkiaku Dako u shpreh ndër të tjera se jo vetëm që Bashkia gjatë punimeve për të krijuar sheshin publik të Velës nuk ka dëmtuar asnjë centimetër trashëgimi arkeologjike por përkundrazi do të vijojë edhe me zbulimin e themeleve të murit rrethues të qytetit që ndodhet jashtë zonës së punimeve. Kryebashkiaku Dako ka bërë një transparencë të plotë duke treguar të gjithë dokumentacionin përkatës për këtë vepër publike dhe duke hedhur poshtë të gjitha spekullimet lidhur me prishje e rrënojave arkeologjike. Po kështu kryebashkiaku Dako deklaroi se gjithcka që është e lidhur me këtë projekt është bërë në zbatim të plotë me ligjin, është ruajtur trashëgimia kulturore dhe punimet e kryera jo vetëm që janë monitoruar nga arkeologët e institutit por gjithcka është monitoruar edhe nga dy kamera të vendosura në lartësi që kanë xhiruar 24 orë që nga fillimi i punimeve e deri tani dhe ku tregohen qartë se punimet e kryera nuk kanë dëmtuar asnjë objekt arkeologjik. Realizmi i këtij projekti tepër të veçantë që i jep një imazh turistik modern qytetit është një premtim i kryebashkiakut Dako gajtë fushatës së viti 2015 ku i ka njohur të gjithë qytetarët e Durrësit me këtë projekt. Investimi për rehabilitimin e sheshit para portit dhe ndërtimin e velierës kap vlerën e rreth 450 milion lekë pa TVSH dhe është investim me fonde të qeverisë shqiptare.  Referenca të zbatuara për projekte të ngjashme janë marë në qytetet e Seviljes, Lisbonës, Marsejës, qytete port të Mesdheut ku veprat urbane moderne ndërthuren mjaft mirë me trashëgiminë historiko arkeologjike. Në kuadër të transparencës ky projekt është diskutuar gjerësisht në dëgjesa publike dhe në ato në nivel teknik përpara se të jepej miratimi. Kështu përvecse qytetarët e Durrësit janë njohur gjerësisht me projektin gjatë fushatës së vitit 2015, është zhvilluar një dëgjesë publike me grupe interesi, arkitektë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të Durrësit në muajin prill 2016, projekti është diskutuar në MZHU dhe këshillin e zhvillimit të territorit në kryeministri në qershor 2016, po kështu diskutimet teknike janë zhvilluar në shtator dhe dhjetor 2016 në këshillin kombëtar të arkeologjisë. Dokumentet e dosjes së zbatimit të projektit janë: Miratim nga Fzhr me vendim nr. 10 dt 10.03.2016, vendim për VNM nr. 45 dt 08.08.2016, leje ndërtimi Vendim nr. 102 dt. 30.09.2016, vendim 128 dt 22.11.2016 të KKA (Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë) të cilët miratojnë ndërtimin e veprës dhe vendim nr.1 datë 24.01.2014 nga KKA si dhe marrëveshje  3 palëshe me Ministrinë e Kulturës dhe ASHA ku është caktuar Instituti i Arkeologjisë dhe DRKK për supervizionin e punimeve gjatë gjithë zbatimit të kontratës.