Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako mori pjesë në shpërndarjen e lejeve të legalizimit në zonën e Sukthit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Ministri i Mjedisit,  Lefter Koka, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, Drejtori i ALUIZNI-t për Qarkun Durrës, Flamur Gjuzi, deputeti Spartak Braho, etj. Në fjalën e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako falenderoi qeverinë shqiptare dhe mazhorancën që ka zgjidhur një problem kaq të madh të banorëve të Sukthit: “Jemi në momentin që të gjithë ju po legalizoheni dhe për këtë dua të falenderoj qeverinë shqiptare, Kryetarin e Kuvendit dhe mazhorancën e cila ka qenë e përkushtuar për të zgjidhur këtë problem kaq të madh të banorëve të Sukthit.” Në fjalën e tij kryeparlamentari Ilir Meta pasi përgëzoi qeverinë për arritjen e objektivit me legalizimet, nënvizoi përkushtimin dhe angazhimin për t’i dhënë një zgjidhje një herë e përgjithmonë një problemi jetik për të gjithë qytetarët:"Kjo është një zonë e jashtëzakonshme dhe këto prona kanë një vlerë të jashtëzakonshme, dhe për shkak të zonës ku jeni. Një zonë pranë bregdetit, një zonë pranë akseve kryesore të zhvillimit të vendit dhe absolutisht që legalizimi i jep një dimension tjetër, një vlerë tjetër pronave tuaja", tha Meta.  Edhe Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u ndal te puna e mirë e bërë nga stafi i ALUIZNI-t për të ardhur deri këtu dhe për të pajisur me leje legalizimi shumë banorë të zonës së Sukthit. Ministrja Gjermeni deklaroi se meritë e finalizimit të këtij procesi është puna e ekipit të drejtuar nga drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Flamur Gjuzi. Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, u shpreh se janë dashur shumë ndryshime në legjislacion për të arritur në këtë proces dhe për të trajtuar ndërtimet pa leje. Sukthi mbylli legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje në zonat informale të bashkive Durrës e Shijak.