Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të Ilir Hotit, ish guvernatorit të parë të Bankës së Shqipërisë dhe një personaliteti të njohur në Shqipëri të financave dhe të fushës akademike, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i ka dorëzuar profesor Ilir Hotit titullin Nderi i Qytetit (pas vdekjes) për kontributin që profesori ka dhënë jo vetëm për qytetin e Durrësit por për të gjithë vendin në fushën e financave. Kryebashkiaku Dako ja ka dorëzuar titullin familjarëve të profesor Hotit në shtëpinë e këtij të fundit ku ishin të pranishëm edhe kreu i shoqatës Durrës Shpëtim Metani, pedagogë dhe drejtues të Universitetit Aleksandër Moisiu. Kryebashkiaku Dako deklaroi se Ilir Hoti është një nga personalitetet e qytetit që ka lënë gjurmë jo vetëm në Durrës por në të gjithë Shqipërinë përsa i përket zhvillimit të sistemit financiar por edhe edukimit studentëve. Titulli Nderi i Qytetit ju akordua Ilir Hotit nga shoqata Durrësi dhe bashkia e qytetit me motivacionin për kontributin e rëndësishëm në akreditimin, rritjen dhe konsolidimin e standarteve shkencore dhe profesionale në breza të tërë studentësh, angazhimin dhe përkushtimin në zhvillimin dhe përsosjen e sistemit financiar dhe atij bankar. Familjarët e Ilir Hotit kanë falenderuar kryebashkiakun Dako për këtë titull që është një tregues vlerësimi për të gjithë punën dhe përkushtimin e profesor Ilir Hotit gjatë karrierës së tij të gjatë në fushën akademike dhe atë të financave. Ilir Hoti u lind në Durrës më 10 Maj 1957, dhe studimet e larta i përfundoi në fushën e kontabilitetit pranë Universitetit Bujqësor në Kamëz. Më pas u kthye dhe filloi punë në Durrës fillimisht pranë Bankës Bujqësore dhe më pas ne Bankën Tregtare. Në fillim të viteve ’90 Ilir Hoti duke ndjekur disa kurse kualifikimi pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) u bë specialisti kryesor i ndërtimit të sistemit bankar shqiptar në ekonominë e tregut të lirë. Teksa drejtonte bankën e shtetit në atë periudhë tranzicioni ai drejtoi edhe themelimin e bankave të para në vend ndërkohë që ishte në qendër të vendosjes së marrëdhënieve me bankat e huaja tregtare. Në periudhen Maj 1992 Shtator 1993 Ilir Hoti ishte Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, njëkohësisht dhe i pari në historinë e saj. Për disa vite Ilir Hoti punoi edhe në Turqi kryesisht në rolin e konsulentit pranë istitucioneve financiare. Prej vitit 2000 ai ka qenë vazhdimisht i angazhuar edhe në Kosovë duke ofruar konsulencën e tij pranë istitucioneve të reja për ndërtimin e një sistemi financiar modern në ndihmë të ekonomisë të shtetit të ri. Në Shqipëri angazhohet pranë autoritetit të mbikqyrjes financiare (AMF) për ndërtimin e infrastruktures së nevojshme për liçensimin e agjentëve të tregtimit të aksioneve dhe letrave me vlerë. Si në Shqipëri ashtu dhe në Kosove, Ilir Hoti tashmë dhe me titullin Profesor i asociuar vazhdoi të jetë i atashuar pranë istitucioneve të ndryshme të arsimit të lartë duke dhënë mësim në disa disiplina si menaxher bankar, menaxher risku, menaxhim i shoqërive te sigurimit etj. Ne këto fusha Ilir Hoti është autor i një numri librash shqip dhe anglisht. Për 4 vjet, 2012-2016, Ilir Hoti drejtoi Fakultetin e Biznesit të Universitetit të Durrësit duke vënë eksperiencen dhe njohuritë e tij në shërbim të studentëve. Ilir Hoti u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme një vit më parë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Janë të shumtë bashkë qytetarët, studentët, pedagogët që i janë mirënjohës Profesor Ilirit për humanizmin, ndihmën e kurajon e dhënë dhe përkrahjen e pakursyer morale e profesionale. Ishte fat e nder për Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës që pati në gjirin e tij Profesor Ilir Hotin , i cili me mish e me shpirt e përkushtim maksimal punoi për akreditimin, rritjen e nivelit shkencor e profesional të studentëve dhe të trupës akademike si dhe të gjithë këtij Institucioni publik në Shqipëri.