Prioriteti i qeverisë për modernizimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, e ka drejtuar vëmendjen e agjencive të inovacionit në vend në zhvillimin e teknologjisë së informacionit, si një drejtim i detyrueshëm tejet i rëndësishëm në këtë drejtim. Ofrimi i shërbimeve publike në formatin elektronik, kërkon përdorimin e mjeteve të sigurta për të garantuar identitetin elektronik të qytetarëve, një ndër të cilët është edhe nënshkrimi elektronik. Sot në vendet e zhvilluara, shumë procese janë lehtësuar me përdorimin e nënshkrimit elektronik, i cili i bashkëlidhet një dokumenti duke i dhënë vlerë ligjore njëlloj si dokumenti i nënshkruar dorazi. Në qytetin e Durrësit është zhvilluar një aktivitet prezantues për identifikimin dhe nënshkrimin elektronik, dy nga risitë inovative që janë duke u zhvilluar me ritme mjaft të shpejta kohët e fundit në vendin tonë. Në këtë prezantim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publik, Milena Harito, zyrtarë të tjerë vendorë, deputetë dhe qytetarë të Durrësit. Në këtë event qytetarëve të Durrësit u është ofruar të marrin identifikimin elektronik falas dhe po ashtu pajisjet “cart reader” që përdoren për të realizuar nënshkrimin elektronik. Specialistët e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe ekspertë të Bashkisë së Durrësit kanë demonstruar konkretisht për qytetarët se si ata mund të marrin shërbimet publike nëpërmjet identifikimit dhe nënshkrimit elektronik. Duke marrë fjalën në këtë takim kryebashkiaku i Durtrësit, Vangjush Dako ka thënë: “Bashkia e Durrësit ka qenë gjithmonë e fokusuar në sigurimin e shërbimeve publike sa më të mira për qytetarin, sa transparente dhe të sigurta. Nga ana tjetër proceset e ërezantuara sot këtu na dëshmuan që janë shumë të thjeshta dhe tregojnë një angazhim minimal nga qytetarët për të marr një shërbim sa më të mirë në të gjitha kohërat. Unë jam i sigurt që rruga e nisur nga Qeveria shqiptare për modernizimin dhe shërbimet cilësore për qytetarët do ta vazhdojë në interes të qytetarëve”. Nga ana e saj Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publik, Milena Harito është shprehur: “Gjithë teknologjia që është vënë në dispozicion të administratës, për të ofruar shërbime më të mira për qytetarin është një mjet për të modernizuar shtetin dhe funksionimin e tij, për të pasur rregulla transparente të njohura nga të gjithë, në mënyrë që gjithësecili të jetë gardian i mirëfunksionimit të shtetit. Sepse nuk ka ndonjë shkop magjik, kjo është e vetmja mënyrë. E vetmja mënyrë është transparenca që rregullat që thuhen të deklarohen dhe respektohen nga të gjithë dhe teknologjia është një mjet në shërbim të kësaj qasjeje”. Nënshkrimi elektronik është zgjidhje teknike që garanton në mënyrë absolute, identitetin tonë, transaksionet, shërbimet, vërtetësinë e dokumentave; në marrëdhëniet qeveri- qytetar; qeveri- biznes dhe biznes- qytetar dhe lidhet drejtpërdrejt me vërtetimin e të dhënave, por nuk ka të bëjë me veprime të tilla si, përdorimi i një kodi PIN për të hyrë në një llogari bankare. Nënshkrimi elektronik mund të përdoret si mjet i vërtetësisë së të dhënave në çdo komunikim/ transaksion elektronik. Mund të përdoret në çdo dokument elektronik, e-mail, prokurime online, nënshkrime marrëveshjesh online (në këtë rast të dyja palët duhet të nënshkruajnë të njëjtin dokument), tregtinë online (e-commerce) dhe në të ardhmen në qeverisjen online (e-governing) etj. Përdorimi i nënshkrimit elektronik gjithashtu, sjell përmirësim të ndjeshëm të shërbimit; përftojmë rritje të transparencës së shërbimeve online; ulje të kostove financiare; rritje të produktivitetit; siguri më të lartë; shpejtësi në kohë në dërgim dhe marrje; shkurtim të ciklit të një marrëveshjeje dhe evitimin e zvarritjeve dhe pengesave; reduktim i kohës së qarkullimit të brendshëm dhe të jashtëm të shkresave; çdo dokument elektronik renditet automatikisht duke bërë ruajtjen e tyre sa më të thjeshtë; dhënia e shërbimit më të mirë ndaj përfituesit. Aktualisht në Shqipëri rreth 600 mijë qytetarë janë të pajisur me certifikata të kualifikuara që gjenerojnë nënshkrim elektronik dhe vetëm gjatë vitit 2017 janë kryer gjithsej rreth 5000 transaksione me nënshkrim elektronik.