Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në aktivitetin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës dhe Siteve Arkeologjike  që i është kushtuar jetës dhe veprës së arkeologut të shquar Vangjel Toçi. Aktiviteti është zhvilluar në amfiteatrin e Durrësit i cili është nga zbulimet më të mëdha që ka kryer gjatë punës së tij arkeologu i shquar Toçi. Në këtë aktivitet ku kanë marrë pjesë personalitete, familjarë të arkeologut, qytetarë të Durrësit dhe nxënës të shkollave e të rinj të angazhuar në projektin “miq të Monumenteve”, ishte përgatitur një ekspozitë me foto nga puna ejashtëzakonshme që ka kryer Vangjel Toçi ndër vite si dhe disa nga zbulimet e tij më të rëndësishme. Gjatë aktivitetit në amfiteatër drejtori rajonal i kulturës kombëtare Ledion Lako deklaroi se edhe sot pas 51 vitesh amfiteatri renditet se vepra më e madhe arkitektonike e trashëgimisë historike e kulturore që është zbuluar jo vetëm në vendin tonë por edhe në të gjithë hapësirën ballkanike dhe se vetëm vitin e kaluar në amfiteatër erdhën 28 mijë vizitorë vendas e të huaj. Po kështu rrugës që kalon pranë amfiteatrit i është vënë emri Vangjel Toçi pas një vendimi unanim të këshillit bashkiak të qytetit. Pasi ka zbuluar pllakatin me emrin e Vangjel Toçit që mban tashmë kjo rrugë kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se Vangjel Toçi, ky personalitet i madh i kulturës shqiptare me punën dhe zbulimet e rëndësihme arkeologjike që ka kryer i ka rritur vlerën qytetit të Durrësit: “Në këtë ditë ndërkombëtare të monumenteve të kulturës rruga që kalon pranë amfiteatrit ka marrë emrin e Vangjel Toçit, këtij kolosi të arkeologjisë shqiptare i cili ka zbuluar edhe sitin më të rëndësishëm arkeologjik që është amfiteatri dhe vendimi për emërtimin e kësaj rruge është marrë në unanimitet të plotë në këshillin bashkiak. Vangjel Toçi është një nga personalitetet më të shquara jo vetëm të Durrësit por të kulturës kombëtare pasi ai i ka rritur vlerën qytetit të Durrësit në sajë të punës së tij të përkushtuar në zbulimet e mëdha arkeologjike që ai ka bërë në qytetin tonë. Në kohën e tij janë zbuluar vepra të mëdha të qytetit të cilat vizitohen nga të gjithë turistët që vijnë në Durrës. Vangjel Toçi ka dhënë gjithashtu një kontribut të shquar edhe në urbanizimin e qytetit të Durrësit. Vizioni dhe puna e tij ka bërë që Durrësi në ato vite të ketë patur një zhvillim ndryshe nga ai që kishte qenë përpara luftës. Vangjel Toçi ka lënë pas jo vetëm një vepër të shkëlqyer por edhe një familje me të cilën krenohet qyteti ynë. Ne shpresojmë që brezat e rinj të Durrësit të njihen më mirë me punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Vangjel Toçi për Durrësin i cili e theksoj që është një personalitet i kulturës shqiptare.” 51 vjet më parë bota kërkimore arkeologjike, shqiptare dhe mbarëevropiane përjetoi një ngjarje të veçantë, zbulimin e amfiteatrit të Durrësit. Epigrafisti i njohur francez i asaj kohe, Lui Robert, zbulimet arkeologjike në Durrës ja atriboi zellit dhe veprimtarisë së Vangjel Toçit në fushën e antikiteteve të Dyrrachiumit. Një pjesë e opinionit shkencor të asaj kohe e quajti të pamundur që një arkeolog të zbulojë një nga amfiteatrot më të mëdhenj të botës antike. Por falë vullnetit të tij dhe punës së palodhur të stafit të muzeut studiuesi Vangjel Toçi mundi të përpunojë metodat që duheshin ndjekur për zbulimin, studimin dhe promovimin e këtij monumenti. Edhe sot pas 51 vitesh amfiteatri renditet si vepra më e madhe arkitektonike e trashëgimisë historike e kulturore jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan. Kohët e fundit pas shpronësimit dhe prishjes së 3 banesave në amfiteatër është liruar një shesh i konsiderueshëm për zgjerimin e kërkimeve arkeologjike. Po kështu janë të gatshme projektet e përgatitura nga institucioni i kulturës kombëtare për rehabilitimin e hapësirës së amfiteatrit. I motivuar nga ky kontribut i çmuar i këtij personaliteti këshilli bashkiak i Durrësit mori vendimin për emërtimin e rrugës pranë amfiteatrit me emrin e arkeologut të shquar Vangjel Toçi.