Me rastin e 5 Majit, ditës së nderimit për të rënët e kombit shqiptar kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka kryer homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës. Në respekt të veprës heroike të këtyre dëshmorëve e heronjve kryebashkiaku Dako ka vendosur kurora me lule në vendin ku ndodhen pllakat përkujtimore të të rënëve për liri. Së bashku me kryebashkiakun Dako kanë zhvilluar  homazhe edhe qindra veteranë, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të besimeve fetare dhe shumë qytetarë durrsakë. Të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit. Kryebashkiaku Vangjush Dako u shpreh se të gjithë përkulen me nderim përpara aktit heroik të atyre njerëzve që dhanë jetën për lirinë e vendit. Fjalën e rastit e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili deklaroi: “Si çdo 5 maj jemi mbledhur këtu në Mauzoleumin e Dëshmorëve për të kujtuar aktin heroik të të rënëve për lirinë e Atdheut, të asaj lirie që u arrit me aq mund e sakrifica nga bijtë dhe bijat më të mira të popullit tonë. Me idealin e tyre për të pasur një Shqipëri të lirë ata nderuan dhe ngritën lart dinjitetin e një kombi të tërë në luftë kundër okupatorëve duke shkruar një ndër faqet më të ndritura të historisë së popullit tonë. Vizita jonë e përvitshme çdo 5 maj është ritual i gjallë jetësor nderimi dhe adhurimi për bijtë që u flijuan për vendin dhe Atdheun, për ne që gëzojmë prej kaq vitesh erën e lirisë. Unë shfrytëzoj rastin që në emër të kryetarit të Bashkisë të shpreh mirënjohjen tonë më të thellë për ta, kujtimin dhe familjet e tyre, gjithashtu edhe ëpr familjet e ushtarakëve dhe të policëve të rënë në krye të detyrës gjatë këtyre viteve.” Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit.