Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka sqaruar opinionin publik në lidhje me komentet për “ndalimin” që i bëhet aubuzovë me pushues për të kaluar në rrugën Pavarësia në plazhin e Durrësit. 

Kryebashkiaku Dako shprehu keqardhjen për zërat që thonë se diskriminohen pushuesit nga Kosova pasi sipas kryebashkiakut pushuesit nga Kosova janë turistët bazë të plazhit të Durrësit dhe ata janë të mirëpritur. Kryebashkiaku Dako deklaroi se gjysma e rrugës “Pavarësia” është transformuar në një rrugë për këmbësorë dhe sheshe pushimi për vizitorët dhe qytetarët që jetojnë në atë zone ndaj lëvizja e autobuzëve në këtë rrugë krijon kaos por kjo nuk do të thotë që ata ndalohen për të ardhur në plazh, përkundrazi- u shpreh kryebashkiaku Dako- janë në dispozicion të këtyre mjeteve 5 akse që lidhen me rrugën Pavarësia dhe që bëjnë të mundur që pushuesit të shkojnë në plazhin e Durrësit:

“Bashkia e Durrësit, duke parë trafikun e rënduar në në rrugën “Pavarësia”, ka vendosur tabela për mosqarkullimin e autobusëve në këtë zonë.  Arsyeja e këtij vendimi është që mos të ketë fluks dhe trafik në zonën e plazhit. Kemi  kërkesë nga shoqëritë e transportit dhe agjensitë turistike të cilët sjellin turistë nga Rinasi me destinacion  një hotel të vetëm. Për këto  raste, kemi dhënë leje kundra tabelë për hyrjen e autobusave ne destinacionin e përcaktuar. Ka një ndryshim të autobusave që vijnë nga Kosova dhe autobusëve me turistë me destinacion. 

Autobusat që vijnë nga Kosova përshkojnë të gjithë gjatësinë e rrugës “Pavarësia”, duke ndaluar në çdo stacion dhe duke zbritur pasagjerë të ndryshëm. Kjo bëhet pengesë për funksionimin normal të qarkullimit në atë rrugë që ka fluks shumë të madh levizjeje në këtë sezon turistik. Ndërsa autobusat që vijnë me destinacion një hotel të caktuar, vijnë nga Rinasi ose pikat kufitare dhe shkojnë direkt në destinacion, pra kanë vetëm një pikë ndalimi. Gjysma e rrugës “Pavarësia” është transformuar në një rrugë për këmbësorë dhe sheshe pushimi për vizitorët dhe qytetarët që jetojnë në atë zonë.

Por kjo nuk do të thotë që ne i ndalojmë autobusat që vijnë me turistë nga Kosova. Më vjen shumë keq me zërat që thonë që janë diskriminuar turistët nga Kosova. Ne i kemi pritur historikisht këta vizitorë. Gjithashtu bizneset që gjenden gjatë rrugës së plazhit mbajnë familjet e tyre me turistët kosovarë duke i mirëpritur me dashamirësi. Në gjithë këto vite kemi punuar në zonën e plazhit për të përmirësuar infrastrukturën, për të patur një ambient sa më të mirë në funksion të turistëve dhe turistët bazë të cilët vijnë në Durrës janë turistët që vijnë nga Kosova.

Ndaj në asnjë mënyrë ne nuk i ndalojmë turistët kosovarë përkundrazi i ftojmë të vijnë në plazhin e Durrësit por ata mund të përdorin një seri aksesh për të shkuar në destinacionin përkatës. Jane 5 akse për tu lidhur nga autostrada me rrugën “Pavarësia”: Rruga e ndërtuar prej nesh, gjysma e së cilës ka përfunduar, segmenti i rrugës mbi kanal, i jep mundësi këtyre auobuzëve të bëjnë lëvizje paralele me një distancë jo më shumë se 100 m larg rrugës “Pavarësia”. Autobusat që vijnë nga Kosova i kanë të gjithë alternativat e mundshme për të zbritur pasagjerët në vendet të cilat i kanë zbritur edhe më parë, por ndoshta shoferët e autobusave dukë mos qenë në dijeni të këtyrë akesese të reja, krijohet kaos. Rruga dytësorë mbi kanal është më standarte, 7 m e gjerë, pra është mundësia që autobusët të kalojnë në atë rrugë.

Ne po punojmë çdo ditë që të kemi një plazh sa më të pastër, sa më të bukur, me kushte sa më te mira në shërbim të vizitorëve që vijnë nga Kosova sepse jam i bindur që e ardhmja e Durrësit janë turistët nga Kosova dhe ne duam ti japim mundësinë që ata të vijnë të bëjnë turizëm siç bëhet në çdo vend të botës, ku lëvizshmëria e njerëzve të jetë sa më e mirë, disiplinimi i trafikut të jetë sa më i mirë, për të patur një plazh të sigurt dhe një vendqëndrim sa më të pëlqyer nga vizitorët. 

Vendimi që kemi marrë për autobusat që vijnë nga Kosova, është i njëjtë edhe për furgonat që furnizojnë dhe japin shërbimet e tyrë në të gjithë zonën e plazhit, të cilët nuk lejohen të qarkullojnë në këtë zonë nga ora 7:00 deri ne orën 24:00. Shërbimet e tyre mund t’i kryejnë gjatë natës. Shërbimet frigoriferike, të cilët mund të kenë raste emergjente, i kemi përcaktuar një orë, dy herë në javë për të bërë furnizime. Kemi gjetur alternativën e duhur për të mbajtur ekuilibrin mes furnitorëve dhe trafikut në këtë zonë.

Unë i ftoj të gjithë pushuesit të vijnë në plazhin e Durrësit pasi plazhi është i pastër, nuk ka asnjë derdhje ujërash të zeza në det, ka përmirësim të jashtëzakonshëm të furnizimit me ujë të pijshëm në të gjithë plazhin dhe nuk mungon as furnizimi 24 orë i energjisë elektrike. Pra kemi disa risi në këtë zonë të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm jetesën, jo vetëm të banorëve të asaj lagjeje, por edhe të turistëve.”