Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadoren franceze në Shqipëri Christina Vasak. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako e ka njohur ambasadoren franceze me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve të shumta.  Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik si dhe në fushën e turizmit duke e njohur ambasadoren me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Nga ana e saj ambasadorja franceze Vasak deklaroi se Durrësi është një qytet mjaft i rëndësishëm që ka ngjallur interesim të kompanive franceze sidomos në fushën e turizmit, transporteve dhe sektorin e agroturizmit. Ambasadorja Vasak dhe kryebashkiaku Dako janë shprehur se menjëherë do të fillojnë hapa konkretë për një bashkëpunim të ngushtë midis Bashkisë së Durrësit dhe qyteteve të Nisës dhe Marsejës me fokus sektorin e turizmit. Dako deklaroi se Durrësi ka çfarë tu ofrojë investitorëve të huaj e veçanërisht atyre francezë në të gjithë sektorët ekonomikë. Pas takimit të zhvilluar në bashki kryebashkiaku Dako dhe ambasadorja franceze Vasak kanë përuruar hapjen e qendrës Aleanca Franceze në Durrës. Kjo aleancë ka ushtruar aktivitetin e saj kulturor në Durrës prej 4 vitesh duke operuar si degë e aleancës së Tiranës por që nga ky moment Aleanca Franceze e Durrësit është një strukturë më vete dhe e plotë që do të vijojë në misionin e saj kulturor në qytetin bregdetar. Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit do të vazhdojë të mbështesë aleancën franceze në aktivitetin e saj kulturor: “Jam shumë i kënaqur që marr pjesë në inagurimin zyrtar të Aleancës Franceze. Ju jemi mirënjohës për mbështetjen e madhe që i keni dhënë rinisë durrsake për t’i dhënë mundësi që të shkojnë në universitetet e Francës dhe të studiojnë atje. Unë jam i bindur që kjo aleancë do t’i shërbejë edhe në të ardhmen qytetarëve të Durrësit. Kjo aleancë do të ketë mbështetjen e Bashkisë së Durrësit sepse kjo aleancë punon për të rritur shkëmbimin e marrëdhënieve kulturore ndërmjet dy shteteve tona dhe është në dobi e në shërbim të qytetarëve dhe ne si të zgjedhur vendorë do të japim kontributin tonë maksimal që ta mbështesim këtë aleancë.” Po kështu në këtë ceremoni kanë përshëndetur edhe ambasadorja franceze Vasak si dhe drejtoresha e kësaj qendre për Durrësin Valbona Sako. Aleanca Franceze ka si qëllim të saj zhvillimin dhe përhapjen e kulturës frënge ( Franca e vogël brenda një qyteti). Ai është i vetmi institucion i njohur ndërkombëtarisht i cili çertifikon gjuhën frënge. Po kështu kjo aleancë ofron edhe këshillim për studentët të cilet duan të studiojnë në Universitetet Franceze, përkatësisht duke nisur nga tetori nis fushatën këshillimore për këta studentë.