Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka marrë pjesë në përurimin e rikonstruksionit të Shtëpisë së Foshnjës Durrës, e cila ofron shërbimin e saj për fëmijët jetimë. Rikonstruksioni i saj u bë i mundur si një partneritet publik-privat midis Bashkisë dhe kompanisë Agna Group. Në inagurimin e kësaj qendre mori pjesë edhe Vasil Naçi, president i Agna Group. Kjo shtëpi foshnjeje u rokonstruktua tërësisht dhe më pas është mobiluar duke patur tashmë mjedise moderne për fëmijët. Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako u shpreh se Bashkia e Durrësit do të vazhdojë të investojë për  këta fëmijë dhe i bëri thirrje biznesmenëve të investojnë për njerëzit në nevojë. “Jemi ketu pas inagurimit të kësaj qendre, falë rikonstruksionit të saj nga kompania Agna Group. Falenderoj zotin Vasil Naçi dhe iu bej thirrje biznesmenëve të investojnë në këtë fushë të shërbimeve publike, për njerëzit në nevojë. Kjo është një qendër në shërbim të fëmijëve që qëndrojnë cdo ditë, të fëmijëve jetimë dhe që kanë humbur prindërit. Ne do të vazhdojmë të investojmë për këtë kategori të shoqërisë në mënyrë që këta fëmijë të kenë kushte sa më komode jetese.” Ndërsa Presidenti i Agna Group Vasil Naçi tha se investime të tilla në bashkëpunim me Bashkinë do të vazhdojnë në Durrës për ti ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve: “Ne zhvilluam një event bamirësie dhe fondet e ketij eventi i sollëm për këtë qendër të fëmijëve dhe ne besojmë se do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe pas zhvillimit të eventit të radhës në muajin nëntor. Cdo e ardhur do të shkojë përsëri për bamirësi dhe dua të falenderoj njerëzit që marrin pjesë në eventin e bamirësisë”. Drejtoresha e kësaj qendre, Mimoza Xhelilaj në fjalën e saj tha: “Kapaciteti i kësaj shtëpie është për 20 fëmijë. Rikonstruksioni ka bërë që të kemi kushte shumë të mira për fëmijët. Gjithashtu dua të falenderoj bashkëpunimin me kompaninë private dhe ndërhyrjen e kryetarit të bashkisë për kryerjen e proçedurave në një kohë shumë të shpejtë”. Kjo qendër ofron kushte bashkëkohore për të gjithë fëmijët që qëndrojnë aty. Per vitin 2016 kane marrë shërbimin në shtëpitë e foshnjave 24 fëmijë të grupmoshave 0-6 vjet (si resident) dhe 24 si ditorë. Ndërsa në 2017  marrin shërbim 24 fëmijë si residentë në të dy shtëpizat, ndërsa në qendrën ditore, marrin sherbim 22 fëmijë. Këta fëmijë hyjnë në një shtëpi të rindërtuar nga fillimi, me mbështetjen e një  kompanie  prestigjoze  me një drejtues filantrop , te cilët vlerësuan faktin, që këta fëmijë,  pertej elementeve bazike, kanë nevojë edhe të jetojnë bukur. Ky  është një shembull i shkelqyer partneriteti i Bashkisë me biznesin  privat, që e konsiderojnë  shtëpinë e fëmijëve si një shtëpi, ku do të jetojnë femijët në kushte sa më komode.