Është zhvilluar në qytetin e Durrësit ceremonia e hapjes së Kampionatit Europian të Peshëngritjes për të rinj. Një eveniment prestigjoz për shtangën shqiptare që pas europianit të zhvilluar pak vite më parë, fiton të drejtën për të organizuar një tjetër kampionat konkurrues. Në këtë ceremoni merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, presidenti i federatës europiane të peshëngritjes Antonio Urso, kreu i FSHP Elez Gjoza si dhe personalitete të tjerë. Në këtë eveniment që do të mbyllet në datën 22 Tetor, marrin pjesë rreth 500 sportistë nga i gjithë kontinenti. Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit e ka mbështetur me të gjitha forcat organizimin e këtij kampionati: “Për mua si Kryetar i Bashkisë së qytetit të Durrësit është nder që për herë të dytë në qytetin tim të zhvillohet një kampionat Evropian në sportin elitar të Shqipërisë. Nuk është rastësi që një kampionat evropian i peshëngritjes zhvillohet në Durrës. Pallati i Sportit “Ramazan Njala”, ka qenë ndër vite mikpritës i peshëngritësve më të mirë të vendit. Duke i uruar mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve në këtë kampionat, dua t’ju them se qyteti i lashtë, bregdetar i Durrësit do t’Ju ofrojë shumë kënaqësi, që me siguri do të bëjnë që  Ju të ktheheni përsëri këtu. Ky evropian shërben jo vetëm për sportin por edhe për promovimin e qytetit tonë turistik. Bashkia e Durrësit e ka mbështetur me të gjitha forcat organizimin e këtij kampionati, duke kontribuar për realizimin e të gjitha kërkesave të Federatës Shqiptare dhe asaj Evropiane. Besoj që kemi arritur të jemi në nivelet e kërkuara Evropiane. Do të isha vërtet i lumtur që të gjithë pjesëmarrësit në këtë kampionat të ktheheshin në vendet e tyre me përshtypjet më të mira për mikpritjen që do t’i ofrojë qyteti i Durrësit në çdo çast që ato do të kalojnë këtu. Duke e mbyllur dua t’Ju uroj të gjithëve suksese dhe rezultate sa më të larta dhe sa më shumë rekorde.” Në këtë ceremoni përshëndeti edhe presidenti i federatës europiane të peshëngritjes, Antonio Urso i cili u ndal te organizimi i europianit që e konsideron një arritje të madhe për Shqipërinë. Ai u shpreh se tashmë janë krijuar të gjitha kushtet që në Shqiperi të organizohet nje eveniment i rangut botëror si në Durrës ashtu edhe në Tiranë. Ndërsa presidenti i FSHP Elez Gjoza në përshëndetjen e tij theksoi faktin se Shqipëria do të bëjë maksimumin në europianin e të rinjve. Ai deklaroi se federata e peshëngritjes me ndihmën e Bashkisë Durrës i kanë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen sa më të mirë të këtij eventi të rëndësishëm dhe se përvec sportit ky event i shërben Durrësit në promovimin e resurseve të tij turistike.