Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka prezantuar në Durrës projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2018. Në këtë prezantim ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, grupe interesi, përfaqësues të shoqërisë civile e qytetarë të Durrësit. 860 milion dollarë është shuma e investimeve publike që janë parashikuar për buxhetin e vendit tonë për vitin 2018, ndërkohë që është parashikuar edhe rritje e të ardhurave që do të përfitojnë bashkitë e vendit ku konkretisht edhe Bashkia e Durrësit do të përfitojë një rritje buxheti vitin e ardhshëm. Detaje nga projektbuxheti dhe paketa fiskale e vitit 2018 ka dhënë ministri i Financave Arben Ahmetaj, i cili ka theksuar se rritja e investimeve publike këtë vit do të jetë 42 %, ndërsa shtoi se qeveria ia ka dalë që në dy vitet e fundit të mos e shtojë më shumë borxhin publik, ndërsa tani ai fillon të ulet gradualisht. Kryebashkiaku Dako pasi ka vlerësuar faktin që për herë të parë një ministër i Financave prezanton projektin e buxhetit në këtë qytet, deklaroi se rritja edhe më shumë e buxhetit për bashkinë e Durrësit do të thotë edhe më shumë investime, punë e shërbime akoma më të mira për qytetarët e Durrësit. Gjatë vitit të ardhshëm në Durrës priten financime për rikonstruksionin dhe ndërtimin e dy shkollave të reja me vlerë 2 milion dollarë si dhe godina e re e universitetit në Spitallë me vlerë 4.5 milion dollarë si dhe disa investime të tjera në infrastrukturë të financuara nga qeveria shqiptare për qytetin bregdetar. Po kështu ministri Ahmetaj ka deklaruar se do të ketë përjashtim nga taksa për brendet në hoteleri. Më shumë do të përfitojnë bizneset që do të ofrojnë shërbimin e hotelerisë me 5 yje, të cilëve do t’u hiqet tatim-fitimi për 10 vjet dhe do t’u ulet TVSH-ja. Sa i takon paketës fiskale, ministri ka nënvizuar se ajo ka si synim luftën kundër informalitetit dhe promovimin e sektorëve të rëdësishëm, ku merr përparësi pikërisht turizmi. “Risi e këtij buxheti do të jenë investimet në vlerën e 860 milionë dollarëve paralelisht me uljen e borxhit publik. Rritje me 46 për qind do të kenë dhe investimet në infrastrukturë ku përfshihen dhe ato në bypass-et e Fierit dhe Tepelenës, ndërsa do të mbyllen një sërë projektesh të nisura. Rritje të buxhetit do të ketë dhe për arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë”, ka shtuar Ahmetaj.