Një tjetër traget me kushte më të mira udhëtimi  i shtohet linjave që ekzistojnë me portet italiane me atë të Durrësit. Kompania Adria Ferries ka inauguruar tragetin "Michela", i cili do të lundrojë tre herë në javë nga portet e Triestes dhe Ankonës drejt Durrësit. Trageti në fjalë parashikohet të shkurtojë me 5-6 orë lundrimin drejt Durrësit, duke sjellë përfitime të ndjeshme sidomos për biznesin. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në aktivitetin promovues që është zhvilluar në bordin e tragetit, ku ndodheshin edhe ministri i turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi, zvministrja e transporteve Dorina Cinari, ambasadori italian Alberto Cutillo, përfaqësues të kompanisë italiane, drejtues të institucioneve në Durrës etj. Në përshëndetjen e  tij kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako theksoi se jam i gëzuar që shtohet një traget i ri me kushte më të mira dhe që do të sjellë lehtësira për lëvizjen e udhëtarëve si dhe atë të turistëve që do të vizitojnë qytetin tonë. Ambasadori i Italisë në vendin tonë Alberto Cutillo në përshëndetjen e tij theksoi se ky është një rast për të festuar dhe me këtë ne tregojmë se Italia beson tek Shqipëria dhe potencialet e saj. Ambasadori Cutillo shtoi se marrëdhëniet tona janë duke u forcuar më tej, gjë që e pamë edhe nga vizita e suksesshme e kryeministrit Rama disa ditë më parë në takim me homologun e tij. Ministri i turizmit Blendi Klosi  tha se investimet në fushën e transporteve ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e turizmit. Duke u ndalur në këtë sektor ministri Klosi tha se këtë vit kemi pasur rritje të madhe të turistëve që kanë vizituar vendin tonë dhe qeveria shqiptare ka marrë vendime të rëndësishme për të lehtësuar subjektet që operojnë në fushën e  turizmit. Trageti Michela ka kapacitet prej 1000 pasagjerësh, ndërkohë që në bordin e tij mund të vendosen deri në 150 kamionë.