Programi Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), i cili do të zbatohet në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia), financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) dhe zbatohet nga Programi për Zhvillimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (PNUD).

Për tre vitet e ardhshme programi synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet njësive të pushtet vendor dhe shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet përsëritjes së modelit të suksesshëm të realizuar në Bosnjë Hercegovinë, lidhur me financimin e Organizatave të Shoqërisë Civile nga buxheti i njësive të pushtetit vendor në përputhje me prioritetet vendore. 

Zbatimi i ReLOaD në Shqipëri, ka nisur në 1 nëntor 2017, me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes 12 bashkive shqiptare përfshirë dhe Bashkinë e Durrësit, me përfaqësues kryebashkiakun Vangjush Dako, dhe partnerit zbatues PNUD/UNDP Albania. Në Memorandumin e mirëkuptimit që u nënshkrua ndërmjet kryebashkiakut Dako dhe Drejtoreshës së PNUD, përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve respektive.

Objektivi i përgjithshëm i ReLOaD është të forcojë demokracinë pjesëmarrëse dhe proçesin e integrimit evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet fuqizimit të shoqërisë civile, duke mundësuar pjesëmarrjen e saj aktive në vendimmarrje si dhe nxitjen dhe krijimin e një mjedisi ligjor dhe financiar inkurajues për shoqërinë civile. Rreth 100 organizata të shoqërisë civile do të përfitojnë nga një skemë granti prej 1.2 milionë Euro për Shqipërinë.

Kështu, në kuadër të këtij Programi, Bashkia Durrës ashtu sikurse edhe bashkitë e tjera do të jetë pjesë e një skeme granti, që do të bashkëfinancohet nga  PNUD dhe bashkia përfituese (jo më pak se 20% e vlerës totale) dhe do të shpërndahet për organizatat e shoqërisë civile nëpërmjet thirrjeve publike.