Në të gjithë qytetin e Durrësit është zhvilluar një aksion pastrimi në kuadër të aksionit kombëtar “Ta pastrojmë Shqipërinë” që është një nismë e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Green Albania dhe që do të zgjasë 6 muaj. Aksioni Kombëtar “Të Pastrojmë Shqipërinë” zhvillohet ne bashkëpunim edhe  me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Brendshme, Pushtetin Vendor dhe përfshirjen e vetë qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile, studentëve, komunitetin e biznesit, Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri, etj. Edhe në qytetin e Durrësit të gjithë punonjësit e administratës, deputetët e Durrësit, mësuesit, nxënësit dhe qytetarët kanë dalë në shumë pika duke kryer pastrimin e qytetit. Operacioni i pastrimit të Shqipërisë ka qëllimin e reduktimit të mbeturinave urbane, sensibilizimin e shoqërisë dhe institucioneve për problematikën e mbetjeve në vend dhe promovimin e një mjedisi të pastër dhe turizmi të qëndrueshëm. Në këtë aksion ka marrë pjesë edhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i cili ka dhënë edhe një mesazh për të gjithë qytetarët e Durrësit për të kontribuar në mënyrë aktive për mbajtjen pastër të qytetit: “Është dinamikë e punës sonë të përditshme pastrimi i i qytetit por me këtë rast duam të sensibilizojmë qytetarët që të jenë sa më aktivë për të mbajtur pastër qytetin pasi ne si bashki nuk ja dalim dot të vetëm ndaj duhet të kemi bashkëpunimin me qytetarët që duhet të kontribuojnë për qytetin e tyre duke e mbajtur pastër atë. Ky është një aksion pastrimi që po zhvillohet në të gjithë qytetit tonë por edhe në të gjithë vendin. Kjo nismë është shumë e rëndësishme jo vetëm pse i shërben pastrimit të qytetit por shërben për ti dhënë mesazh të gjithë qytetarëve të japin ndihmesën e tyre në këtë drejtim. Ky aksion nuk është vetëm sot por do të vazhdojë për disa muaj dhe veçanërisht për qytetin tonë na shërben që edhe sezoni i ardhshëm turistik duhet ta gjejë qytetin sa më të pastër pasi duke qenë se kemi një sezon të zgjatur duhet të jemi gati që në muajt shkurt mars në mënyrë që të kemi një ambient sa më të pastër për qytetarët dhe turistët. I bëj një apel të gjithë qytetarëve të Durrësit të na bashkohen në këtë aksion dhe të jenë pjesë aktive e mbajtjes sa më pastër të qytetit.” Po kështu edhe deputetët e Durrësit që i janë bashkuar kësaj nisme kanë dhënë mesazhin e tyre për të mbajtur një qytet të pastër për qytetarët e Durrësit dhe turistët e shumtë që vizitojnë Durrësin.Mbetje të evaduara nga Durrësi mesatarisht çdo vit janë 64257 m3 ku vetëm për qytetin evadohen 148 m3 mbetje urbane në ditë.