Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në kujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës në 26 nëntor 1912. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, përfaqësues të prefekturës, deputetë, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, dhe qytetarë të Durrësit. 

Pas tingujve të himnit kombëtar flamurin pranë Bashkisë e ka ngritur kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Kryebashkiaku Dako deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit. Në emër të Bashkisë fjalën e rastit e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili u shpreh se:

“Ju falënderoj të gjithëve që jeni sot në përkujtim të ngjarjes së madhe të  105 viteve më parë, kur përfaqësuesit e qytetit të Durrësit vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane. Kjo është padyshim ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në gjithë shekullin e 20-të e në vijim.

Jemi të nderuar që përsërisim sot, 105 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912.

Ne u kushtojmë nderimin e merituar atyre veprimtarëve që i përballuan këto detyra historike dhe e siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë me njerëz të devotshëm, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi.

Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot tek Agostin Sereqi, Sotir Vevecka e Sulejman Kadiu; tek Stefan e Marie Kaculini; tek të gjithë ata që përgatiten dhe valëviten flamurin kombëtar në qytetin tonë; për delegatët durrsake Dom Nikolle Kacorri, Abaz Celkupa dhe Mustafa Basha, që ditë më pas nënshkruan në dokumentin historik të pagëzimit të pavarësisë.

Sot mund të duket se ata burra e ato gra të zonja, që patën vetëdijen politike dhe guximin vetjak të ngrenë flamurin kombëtar më 26 nëntor 1912 bënë thjesht një manifestim. Por ajo ngritje flamuri nuk ishte një rit ceremonial¸ajo ishte një ndarje me të kaluarën dhe një këputje zinxhirësh. Ishte vetëm hapi i parë për t’iu kthyer vetes.

Shekulli i shqiptarëve do të tregonte se më e vështirë se shpallja e pavarësisë ishte realizimi i pavarësisë; më e vështirë se refuzimi i otomanizmit do të ishte çrrënjosja e tij, e mendësisë anadollake, autokratike, që  Porta e Lartë kishte lënë tek shqiptarët si mënyrë sundimi.

Në këtë ditë ne festojmë me dinjitet, sepse Shqipëria nuk eshte më ajo e fillimshekullit të 20-të ku shqiptarët ishin populli më i diskriminuar në rajon, populli më i pambrojtur, populli me më pa aleatë. Ishte populli me trojet e të cilit mund t’u bëheshin ndere të tjerëve.

Shqiptarët sot janë popull që të drejtat e tyre historike po ia kompenson pikërisht ajo Europë që aq shumë e përfolën. Pozita jonë gjeopolitike në rajon ka ndryshuar në thelbin e vet duke na bërë të ndihemi të realizuar;  sot kemi te gjithe arsyet për të festuar duke iu gezuar faktit që, në këtë ditë të madhe, së bashku me historinë e rritjes së vështirë të shtetit shqiptar, është rritur dhe vetëdija jonë shtetërore.

Rroftë 26 Nëntori, kjo ditë historike  e qytetit tonë dhe gëzuar te gjithëve festën e madhe të Shpalljes së Pavarësisë!”

Më pas të pranishmit kanë njekur një koncert me motive patriotike organizuar me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit. Ky koncert është zhvilluar në shkollën e muzikës Jan Kukuzeli me nxënës të kësaj shkolle.