Bashkia e Durrësit ka zhvilluar një ceremoni me rastin e 73 vjetorit të çlirimit të vendit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, deputetët e Durrësit Milva Ekonomi, Klodiana Spahiu, Rolant Xhelilaj, qindra veteranë, drejtues të tjerë të pushtetit vendor dhe shumë qytetarë durrsakë kanë bërë homazhe për të rënët dhe kanë vendosur kurora me lule në Mauzoleumin e Dëshmorëve. Të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit dhe veteranët kanë sjellë në vëmendje kujtimet e tyre për këta njerëz që dhanë jetën e tyre për liri. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako u shpreh se në 29 nëntor gjithë Durrësi dhe vendi ynë kujton dhe nderon ata që e deshën aq shumë këtë vend sa dhanë jetën e tyre për të. “Lavdi Dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut tonë të dashur, i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Punë sa më shumë për të mirën e Shqipërisë, për të mirën e Durrësit që duam dhe për të mirën e të gjithë fëmijëve tanë,” – deklaroi ndër të tjera kryebashkiaku Dako. Durrësi është në qendër të historisë shqiptare të luftës së dytë botërore sepse ishte pikërisht qyteti bregdetar ku filloi historia e luftës nacionalçlirimtare në 7 prill 1939 dhe ku u dëgjuan krismat e para antifashiste në Evropë. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Pikërisht në 7 prill në Durrës ranë dëshmorët e parë siç ishte heroi i popullit Mujo Ulqinaku dhe bashkëluftëtarë të tij të flijuar në mbrojtje të trojeve tona. Fryma e kohës i kishte ndërgjegjësuar banorët durrsakë dhe shumë të rinj ishin hedhur në çetat partizane. Të tjerë demonstruan kundër pushtimit fashist ku ranë dëshmorë të rinjtë Sotir Noka, Dalip Tabaku, Aleksandër Goga etj. Në këtë atmosferë e gjeti Durrësin pushtimi nazist në shtator 1943. Komanda gjermane e konsideroi qytetin tonë qytet të lëvizjes dhe ishte kjo pasiguri që e detyroi komandën gjermane të ndërmarrë operacionin e koduar shëtitje në port. Banorët u detyruan me forcë ta braktisnin qytetin ndërsa të rinjtë u internuan në kampet e përqendrimit, qyteti dhe vija bregdetare u minua, rast unikal ky në historinë e luftës së dytë botërore. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit.