Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në takim një delegacion nga Republika e Çekisë i kryesuar nga presidenti i senatit çek Milan Štěch. Anëtarë të këtij delegacioni ishin edhe senator Miroslav Nenutil, Anëtar i Komitetit për Çështjet Ligjore dhe Kushtetuese, senator František Bradáč, anëtar i Komitetit për Ekonominë Kombëtare, Bujqësinë dhe Transportin, senator Zdeňka Hamousová, anëtar i Komitetit për Administratën Publike, Zhvillimin Rajonal dhe Mjedisin, senator Petr Holeček, anëtar i Komitetit për Ekonominë Kombëtare, Bujqësinë dhe Transportin, zv/ministri çek i tregtisë dhe industrisë, Vladimír Bärtl, kryetarja e akademisë së shkencave, Eva Zažímalová, zv/President i Konfederatës së Industrisë Stanislav Kázecký, ambasadori i Çekisë në Shqipëri Jaroslav Ludva etj. Ky delegacion shoqërohej edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Çeki, Riza Poda. Bashkangjitur këtij delegacioni ishin edhe një grup sipërmarrësish nga Çekia. Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako i bëri presidentit të senatit çek dhe delegacionit një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin e turizmit duke e njohur presidentin e senatit çek me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin, por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja. Më tej kryebashkiaku Dako u ndal edhe në bashkëpunimin ekonomik tregtar me Çekinë që duhet të thellohet më tej. Dako deklaroi se Durrësi ka çfarë i ofron biznesit të huaj. Nga ana e tij presidenti i senatit çek Milan Štěch u shpreh mjaft i kënaqur me vizitën e tij në Durrës dhe fillimisht konfirmoi mbështetjen e plotë të Republikës së Çekisë përsa i përket integrimit të Shqipërisë në BE. Më tej presidenti i senatit çek u shpreh se duhet thelluar bashkëpunimi ekonomik e tregtar midis Shqipërisë dhe Çekisë dhe konkretisht edhe midis Durrësit dhe qyteteve çeke. Po kështu ai shprehu bindjen se pas kësaj vizite të këtij delegacioni të zgjeruar në Durrës do të rritet interesimi sidomos i turistëve por edhe i biznesit çek për të drejtuar vëmendjen drejt Durrësit dhe krejt vendit tonë. Ai deklaroi se Durrësi ka resurse turistike të jashtëzakonshme dhe se padyshim që numri i turistëve çekë në këtë qytet do të pësojë rritje të vazhdueshme. Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, tregtar e turistik ishte tema kryesore e bisedës ndërkohë që nga ana e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se tashmë kanë filluar edhe hapat konkretë me qëllimin për të krijuar një partneritet midis Durrësit dhe qytetit mjaft të rëndësishëm çek Karlovy Vary. Pas bisedës mjaft miqësore kryebashkiaku Dako dhe presidenti i senatit çek Štěch kanë shkëmbyer edhe dhuratat e rastit. Pas këtij takimi është zhvilluar edhe një aktivitet i zgjeruar në sallën e këshillit bashkiak ku delegacioni dhe biznesmenët çekë u njohën me gjithçka që ofron Durrësi në fushën ekonomike dhe turistike në sajë të prezantimit që i bëri Bashkia e Durrësit qytetit bregdetar. Kryebashkiaku Dako u shpreh se Durrësi përveçse një qytet mjaft i rëndësishëm turistik ofron mundësi të mëdha edhe për biznesin çek që të investojë në qytetin tonë. Përfaqësuesja e Drejtorisë së Politikave të Zhvillimit, në Bashkinë Durrës, ka zhvilluar me detaje një prezantim të qytetit lidhur me territorin, historikun, atraksionet si dhe potencialet e zhvillimit ekonomik dhe turistik të qytetit të Durrësit. Më pas, gjatë prezantimit për të gjithë të pranishmit në sallë, u dha informacion lidhur me qytetin e Durrësit, si atraksion turistik, për turistët vendas dhe të huaj. Sipas prezantimit, numri  i turistëve në total (vendas dhe të huaj) që kanë vizituar qytetin e Durrësit, për vitin 2017, është 377,632 turistë. Aktualisht ka një tendencë në rritje edhe përsa i përket numrit të vizitorëve në asetet arkeologjike si Amfiteatri, Muzeu Arkeologjik, Muzeu Etnografik. Gjithashtu, gjatë prezantimit të pranishmit u informuan lidhur me numrin dhe kategorinë e bizneseve që operojnë në Durrës. Së fundmi, u prezantuan edhe projektet e financuara nga programet e financimit të Bashkimit Evropian, në të cilat Bashkia Durrës është partnere. Në këtë aktivitet e ka marrë fjalën edhe kreu i dhomës së tregtisë dhe industrisë së Durrësit Andrea Xhavara që ka bërë një prezantim të bizneseve që operojnë në qytetin tonë. Pas takimeve në Bashkinë e Durrësit delegacioni çek ka vizituar muzeun arkeologjik të qytetit dhe amfiteatrin e Durrësit.