Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Bashkia e Durrësit dhe shoqata kulturore Smat me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës organizuan "Festën për Gjergj Kastrioti Skënderbeun në ditën e lindjes së tij’. Ky aktivitet dy ditor që zhvillohet në Bashkinë e Durrësit dhe në kepin e Rodonit është organizuar nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Komuniteti arbëresh në Itali është bërë pjesë e kësaj feste mbarëkombëtare në nder të  heroit Kombëtar Skënderbeut. Delegacioni i përbërë nga rreth 50 vetë nga komunat arbëreshe të Italisë, Casalvecchio dhe Chieuti, të veshur me kostume popullore dhe duke kënduar këngë të vjetra shqip kanë çelur këto festime në sallën e këshillit bashkiak të Durrësit për të vijuar më pas edhe sheshin Liria. Në këtë ceremoni delegacioni është pritur nga drejtori i kabinetit të bashkisë së Durrësit Lavdosh Beqiraj dhe drejtori i arsimit dhe kulturës Adrian Gurra të cilët i kanë uruar mirësardhjen arbëreshëve të Italisë dhe kanë vënë theksin në thellimin e mëtejshëm të shkëmbimeve kulturore midis arbëreshëve të Italisë dhe Durrësit për të cilën shërbeu edhe kjo festë dy ditore për nder të Skënderbeut që i bashkoi në Durrës shqiptarë nga të gjitha trevat ku ata ndodhen. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe dy kryetarët e komunave arbëreshe, kryetari i komunës Casalvecchio, Noe Andreano dhe kreu i komunës Chieuti, Diego Iacono. Kryetarët e komunave arbëreshe në Itali, janë shprehur se  të tilla aktivitete të përbashkëta duhet të bëhen edhe më të shpeshta, me qëllim ruajtjen e traditave dhe njohjen me zhvillimet e mëtejshme të kulturës shqiptare. Gjatë ceremonisë për të treguar ruajtjen e vlerave shqiptare njëra nga pjesëtaret e delegacionit, Angela del Aquila, ka kënduar këngën  më të popullarizuar të arbëreshëve të Italisë, "O e bukura more...", dorëshkrimi i parë origjinal i së cilës gjendet në Chieutti dhe i përket vitit 1708. Mesazhe sa të bukura aq dhe me vlerë kanë përcjellë edhe të gjithë arbëreshët e tjerë ku shumica e tyre vinin për herë të parë në Shqipëri, në tokën mëmë, por kjo nuk i ka penguar të flasin shqip dhe të ruajnë brezë pas brezi traditat shqiptare. Më pas Festa, vazhdoi në Kepin e Rodonit, ku zhvillohen një sërë aktivitetesh artistike për dy ditë me rradhë. Në këto ditë feste grupe folkloristike që përfaqësojnë çdo trevë shqiptare brenda Shqipërisë, Kosovës, arbëreshët e Italisë, shqiptarët në Malin e Zi, Maqedoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kudo tjetër të ndodhur, ekspozuan, mes këngëve e valleve tradicionale, vlerat kulturore të ruajta ndër vite.